Futboll

Raundi i parë për Barcelonën, Reali ndëshkon veten në gjysmëfinale të Kupës

Gazeta Si – ‘El Clasico’ i tretë sezonal fitohet nga Barcelona. Në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit kanë fituar 1-0 katalanasit në ‘Bernabeu’, falë një autogoli të Militaos.

Protagonist në rastin e golit të vetëm ishte Kesi, që depërtoi në zonë dhe bëri Militaon ta çonte topin në rrjetën e portës së tij në minutën e 25-të të ndeshjes, pas pritjes së Kurtua. Real Madrid, pas një pjese të parë shumë të mirë, vuajti për të rrezikuar në pjesën e dytë.

Madrilenët bënë presion që në fillim dhe shënuan me Benzema, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Barcelona nuk doli nga ‘guaska’ e saj dhe vuajti shumë në mbrojtje deri në episodin që ndryshoi ndeshjen. Ferran Torres përfitoi nga gabimi i Kamavingës dhe pasoi për Kesi, që gjuajti dhe gjeti devijimin e Militaos.

Goli u anulua fillimisht, por më pas iu rikthye Barcelonës nga VAR-i, pasi ish-lojtari i Milanit ishte në pozicion të rregullt. Gavi një pjesën e dytë humbi një rast të mirë për golin e dytë, ashtu si dhe Kesi, që goditi Ansu Fatin.

Barcelona ia doli të fitonte ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, pavaaësisht mungesave të Pedrit, Dembelesë dhe Levandovskit. Ndeshja e kthimit luhet më 5 prill, në ‘Camp Nou’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë