Lajme

Rasti Xhisiela, Gjosha bën thirrje për protestën para Kryeministrisë

Deputetja e LSI-së Klajda Gjosha, nëpërmjet një deklarate për mediat ditën e sotme ka bërë thirrje për bashkim në protestën që do të organizohet sot para Kryeministrisë për rastin e Xhisiela Malokut.

Gjosha shprehet se ky rast tregon lidhjen e pushtetit me krimin dhe se Shqipëria ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm të viteve të fundit.

“Rasti i Xhisiela Malokut është kthyer tashmë në çështje kombëtare që i përket gjithë shoqërisë sepse nuk ka të bëjë vetëm me dhunën e ushtruar ndaj një vajze të re, por në fakt ky rast ka nxjerrë në pah realitetin e hidhur të lidhjes së pushtetit me krimin. Rasti i Xhisielës tregoi qartë se çfarë do të thotë që një qytetar të ndodhet i vetëm përballë presionit të pushtetit diktatorial dhe pushtetit mediatik. Është e paprecedentë të quash arritje arrestimin e djalit të deputetit, dy muaj pasi ka ndodhur ngjarja, dy muaj pasi është kryer ekspertiza mjeko-ligjore që vërtetonte shenjat e dhunës në trupin e një vajze të re, e cila edhe sot që flasim vazhdon të jetë e pambrojtur dhe e terrorizuar. Shqipëria sot ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm të këtyre viteve të fundit, ku shteti ia ka dorëzuar qeverisjen bandave kriminale dhe ku institucionet kanë ndalur totalisht së funksionuari”, shprehet Gjosha.

Sipas saj bëhet fjalë për një fenomen që prek gjithë shoqërinë dhe bën thirrje për t’u bashkuar në protestën e sotme para Kryeministrisë.

 “Nuk mund të mendohet që një shoqëri të qëndrojë indiferente ndaj këtij fenomeni kriminal që nuk i përket vetëm Xhisielës, por çdo nëne, çdo prindi,çdo familjari, çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që çdo ditë e më shumë po i shuhet shpresa për të jetuar në këtë vend. Ndaj, të gjithë së bashku sot duhet t’i përgjigjemi thirrjes së shoqërisë civile për të protestuar pranë Kryeministrisë në orën 17.30. T’i japim fund së bashku pushtetit kriminal sepse fëmijët tanë meritojnë një Shqipëri Europiane”, tha ndër të tjera Gjosha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë