Futboll

Rasti i çuditshëm, lojtari zyrtarizohet njëkohësisht nga dy ekipe

Fillon merkato, fillojnë historitë absurde, kryesisht falë rrjeteve sociale. Tani, nëpërmjet internetit, mund të përballesh me situata që dikur ishin të paimagjinueshme. Ka edhe klube, të cilat ndonjëherë dinë të krijojnë konfuzion edhe më shumë se të tjerët. Siç tregon rasti i Rafidine Abdullahut.

Kush është ky? Një mesfushor francez, i rritur te të rinjtë e Marseille dhe që në karrierë ka veshur edhe fanellat e Lorient, Cadise dhe  Waasland-Beveren, por ka luajtur edhe me kombëtaren e Ishujve Komore. Deri në mëngjesin e 9 janarit të 2020-ës, lojtari i lindur në vitin 1994 ishte pa ekip. Por, më pas, siç ka bërë të ditur AS, në orën 11:50 profili në Twitter i Hercules, skuadër spanjolle e kategorisë së dytë, ka postuar foton e futbollistit me shkrimin. “Mesfushori Rafidine Abdullah do të fillojë të stërvitet sot me Hercules. Klubi ka një opsion për të nënshkruar me të”. Ku qëndron problemi?

Rreth çerek ore para postimit të Hercules, në orën 11:36 profili zyrtar në Twitter i skuadrës zvicerane të Stade Lausanne-Ouchy, njoftoi me një farë krenarie blerjen e Rafidine Abdullah. “Do të veshë fanellën tonë deri në 2021-shin”. Kaos i vërtetë. Nënshkrim me dy skuadra? Rrezik skualifikimi për mesfushorin? Jo, thjesht lojtari nuk arriti marrëveshjen me Hercules dhe ka preferuar të nënshkruajë menjëherë me zviceranët. Dikush duhet të ketë harruar të njoftojë administratorin e rrjeteve sociale të klubit spanjoll, që e ka publikuar gjithsesi lajmin e provimit të Abdullah. Një histori që nuk i ka shpëtuar përdoruesve të internetit dhe që po bëhet anekdota e fundit e merkatos. Nuk do të jetë e para dhe sigurisht as e fundit…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë