Konfiskimi i aseteve shqiptare në Austri për llogari të investitorit italian Francesco Becchetit nuk është surprizë për ekspertin në fushën e ekonomisë Zef Preçi.
Sipas tij korrupsioni në qeverisjen e vendit; paaftësia e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e tenderave të shtetit; mediokriteti që ka pushtuar institucionet rregullatore; papërgjegjshmëria e qeverisë shqiptare do të jetë një faturë e rëndë dhe afatgjatë në xhepat e shqiptarëve dhe do të ndikojë në një zbehje më të madhe të pranisë së investimeve të huaja në vendin tonë, por edhe në rritjen e agresivitetit të tyre për të kërkuar të drejtat e parashikuara në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat shteti shqiptar është palë.
LEXO EDHE:
Becchetti, edhe dy gjyqe të tjera ndaj Shqipërisë
Der Standard: Shqipëria nuk po paguan Becchetin, kërkohet bllokimi i aseteve në Austri
Si u përplas Qeveria shqiptare me Becchetti-n
Eksperti Zef Preçi argumenton në një prononcim për Gazeta Si, se Shqipëria prej 5-6 vitesh është bërë një vend jo tërheqës për biznesin dhe këtë e kanë konfirmuar raportet e shumtë të institucioneve dhe te organizatave ndërkombëtare duke e renditur Shqipërinë gjithmonë e më poshtë përsa i përket klimës së biznesit në tërësi.
“Këtë e konfirmon gjithashtu mosfunksionimi i gjyqësorit teksa nuk respektohen detyrimet kontraktuale, ndërsa vendimmarrjet e gjykatave të ulëta shihen nga investitorët e huaj dhe vendas me dyshim, dmth si vendime të dhëna në disa raste nën presion politik, në raste të tjera nën presionin e korrupsionit dhe në dëm të investitorëve, nuk funksionon Gjykata e Lartë dhe vendimet e Apelit në reformim e sipër janë ende jashtë funksionit. Ndërsa prishja arbitrare e kontratave të tilla siç është edhe rasti në fjalë i investitorit italian Beccheti – përtej propagandës së qeverisë që nuk ka një vendim përfundimtar të pakontestueshëm, e kemi shpënë në Apel e të tjera si këto – nuk është më një suprizë për askënd. Qeveria ka shfaqur mungesë transparence, mungesë përgjegjshmërie, mungesë profesionalizmi, mungesë serioziteti, etj., në nënshkrimin e disa kontratave dhe në refuzimin e disa të tjerave në vazhdimësi. Është rasti të kujtojmë rastet e përpjekjes së Telecomit serb për të marrë pjesë në transaksion shit-blerjeje në Shqiperi që u denoncua nga z. Rama, deri dhe marrëveshjen e para pak ditësh me ministrin e jashtëm italian Di Maio për ngritjen e një komisioni të veçantë dypalësh. Të jemi të qartë për diçka themelore: përderisa Shqipëria është vend nënshkrues i konventave ndërkombëtare prej vitit 1991 në vijim dhe vendimi është përcaktuar për t’u antarësuar në BE, nevojitet që të respektojë principet e konkurrencës së lirë dhe tregut të hapur..”- thotë Preçi, përndryshe, vijon ai, çfarëdo refuzimi i pastër politik që anashkalon institucionet rregullatore të tregut apo shfaqja e anësive që burojnë nga rrethanat poltike të momentit, dëmton imazhin e vendit dhe përkthehet në një rritje të vigjilencës (alert) për investitorët e huaj.
Sipas tij, Shqipëria duhej të kishte lënë pas kohën kur penentrimi në ekonominë tonë kombëtare i investimeve të huaja direkte lidhej me lobingjet në nivelet më të larta politike, apo kur investitorët kryesorë të kësaj kategorie të ishin kompani të krijuara posaçerisht për të hyrë në kete treg apo thjesht të regjistruara ne off-shore, siç është edhe e panorama e sotme për fat të keq.
Eksperti i ekonomisë sjellë në vëmendje rastin e General Electric (në të cilin u penalizua padrejtesisht shteti shqiptar me 20 milion Euro), rastin skandaloz të Rapiskan-it në të cilin interesat e shtetit shqiptar “u mbrojtën” nga kompania e konsulencës së familjes së T. Bleer, ndërsa avokati i shtetit dhe ai i kompanisë ishin bashkëshortë, dmth në një konflikt të pastër interesi, deri edhe te rasti më i freskët – parku fotovoltaik të Akërnisë.
“Këto kontrata janë arbitrare, jo-transparente, pa konsulencën e duhur dhe pa vendosur si prioritet interesat e vendit duke përfunduar në përftime të dyshuara korruptive të elitës politike të vendit, e mbi të gjitha në fatura të majme në dëm të taksapaguesëve shqiptarë aktualisht dhe në perspektivë. Dhe mungesa e investimeve nga vende të njohura (brand names) dhe e rezultateve pozitive në punësim, në kontributet në taksa, në respektimin e mbrojtjen e ambientit, etj. ngre dyshime të bazuara që kontrata të tilla janë bërë deri edhe me qëllim dhe për rrjedhojë, duhet të jenë subjekt i hetimeve nga agjencitë ligjezbatuese siç është SPAK”- argumenton Preçi.
Edhe Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë e konsideron si të natyrshme konfiskimin e aseteve të shtetit në rast të mospagesës për shkak të humbjes së gjykimit. E përmbajnë, sqaron ai për gazetën “Si”, të gjitha konventat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria ka nënshkruar nga 1991.
“Interesant është se pse është përcaktuar Austria, ndërkohë që mund të bëjnë pjesë të gjitha asetet në pronësi të shtetit shqiptar kudo në botë!”- thotë Buxhuku.
Pyetjes së gazetës “Si” se si e shikon pozicionin e qeverisë dhe pasojat, Buxhuku përgjigjet; “Pyetje retorike kjo?!!”
Rasti në fjalë, thotë ai, është veçanërisht i rëndë sepse është 100% krijuar me vetëdije të plotë nga ndërhyrja e ekzekutivit dhe ishte i qartë përfundimi. Për Shqipërinë është goditje e 3- fishtë. Së pari, shumë e rëndë nga goditja financiare për më shume në një vit shumë të errët ekonomik, së dyti, sepse godet drejtpërdrejt konkurrencën e vendit në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, së treti mospagesa ul shumë seriozitetin e shtetit shqiptar në tregjet financiare dhe procesin politik të integrimit në BE!”- argumenton Buxhuku i Konfindustrisë Shqiptare.
Gazeta “Si” arriti të komunikonte edhe me Dhomën Austriake të Tregtisë në Tiranë.
Aty sqaruan se lajmi ka dalë shumë vonë, mbrëmjen e kaluar dhe sot Dhoma ka nisur bisedimet me Ambasadën Austriake në Tiranë për të absorbuar lajmin dhe për të përpiluar një qëndrim, që deri tani nuk e kanë.
Ndërkohë e pyetur nga gazeta “Si” shoqata e investitorëve të huaj dha një përgjigje të çuditshme për këtë rast: “Shqetësimet tona ia shprehim qeverisë” duke mos dashur të prononcohen për mediat megjithëse sa herë kanë nevojë për presion ndaj qeverisë me kërkesa për lehtësi, aleatin e kërkojnë nga mediat.
Klima e biznesit në Shipëri, raportet ndërkombëtare
Shqipëria renditet në tre vendet e fundit europiane sa i takon klimës së të bërit biznes. Dhoma Europiane e Tregtisë, që përmbledh në vetvete mbi 20 milionë kompani sipërmarrjeje përmes 43 dhomave kombëtare të tregtisë publikoi raportin për 2020.
Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 44-t nga 46 vende që janë marrë në analizë. Sipas “European Chamber”, vendi ynë së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe me Francën kanë pësuar rënien më të madhe në klimën e të bërit biznes në krahasim me 2019.
Shqipëria lë pas në këtë renditje vetëm Bosnje Hercegovinën, ku prej më shumë se dy vitesh ka një përplasje politike mes drejtuesve serbë, boshnjakë dhe kroatë në këtë vend dhe Ukrainën, e përfshirë nga konflikti në Lindje të saj.
Kjo rënie e Shqipërisë në klasifikimin e “European Chamber” mund të parashikohej, nisur nga fakti që raporti hartohet përmes analizimit të raporteve të mëhershme të Bankës Botërore dhe të “Transparency International”.
Në të dyja këto raporte, si në raportin “Doing Business” të Bankës Botërore, ashtu edhe në raportin e “Transparency International”, Shqipëria ka pësuar rënie.
Shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit e ngriti edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, që në fillim të muajit gusht në një takim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, më herët këtë vit do ta rendiste Shqipërinë më ulët se një vit më parë në lidhje me klimën e të bërit biznes.
DASH do të thoshte se investitorët e huaj përmendin si problem kryesor korrupsionin. Në raport nënvizohej se për investitorët e huaj, klima e investimeve mbetet problem.
Më tej, thuhej se Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes.
“Investitorët raportojnë gjithashtu shqetësime për legjislacionin. Favorizohen edhe kompani të lidhura me politikën”, nënvizohej në raportin e DASH.
Po ashtu, në raport theksohej se rritja e kontratave PPP ka ulur mundësinë e konkurrencës në treg. Në raport thuhej gjithashtu se Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.