Katër peshkatarë vlonjatë i shpëtuan mbytjes falë fatit. Mihal Naçi, 54 vjeç; Kristo Kosta, 65 vjeç; Mateo Jakupi, 19 vjeç dhe Emiljano Nebiu, 20 vjeç kishin tri ditë që kishin dalë për peshkim në ujërat pranë Ishullit të Sazanit.
Por, mbrëmjen e së shtunës, anija e tyre e peshkimit pësoi një avari tek pompa e ujit dhe u fundos me shpejtësi. Para se të fundosej, peshkatarët arritën që të dërgonin tek roja bregdetare kërkesën për ndihmë.
Menjëherë, të paktën sipas deklaratës së shpërndarë nga policia, në drejtim të tyre janë nisur mjetet lundruese të rojes bregdetare për t’i shpëtuar. Por, kërkimet nuk dhanë rezultat dhe anijet që duhet t’i shpëtonin u kthyen në breg.
Fati e deshi që në zonën ku po notonin katër peshkatarët të kalonte një traget i linjës Bari-Vlorë me kapiten italian. Ky i fundit rrëfeu se ishte sinjalizuar nga ekuipazhi për persona në det që po kërkonin ndihmë dhe menjëherë ka urdhëruar hedhjen e mjeteve shpëtuese në ujë.
Pas 6 orësh në ujë, katër personat në fjalë shpëtohen dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës mbërrijnë në Portin e Vlorës së bashku me tragetin me pasagjerë në gjendje të mirë shëndetësore, që konfirmohet edhe në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.