Motosport

Rasell kërkon falje për incidentin me Botas: Më pushtuan emocionet

Piloti i skuderisë Uilliams, Xhorxh Rasell, merr përsipër përgjegjësitë e incidentit në garën e Imolas me finlandezin Botas: “Nuk jam krenar për atë që ndodhi të dielën. E dija që do të ishte një rast shumë i mirë për të marrë pikë dhe kjo është jetike për ne, ndaj isha gati për të rrezikuar më shumë. Për fat të keq, shkoi keq dhe marr përsipër të gjitha përgjegjësitë".

Rasell mbyll kështu çështjen e Imolas dhe i kërkon falje Valteri Botas, por edhe Toto Volf, që nuk ia përtoi t’i tërhiqte veshin të dielën në mbrëmje. “Duhej ta kisha administruar më mirë situatën. Emocionet e momentit prevaluan mbi aftësinë time të gjykimit. I kërkoj falje Valterit, skuadrës sime dhe personave që zhgënjeva me sjelljen time. Pretendoj më shumë nga vetja dhe e di që edhe të tjerët pretendojnë”, - ka shtuar më tej Rasell.

Pasi akuzoi Botasin se theu "gentlemen agreement" për sjelljen në pistë, 23-vjeçari analizon në profilin e tij në Tuiter atë çfarë ndodhi në xhiron e 34-t të GP të Imolas dhe veçanërisht pas karambolit mes Uilliams FW43B të tij dhe Mercedesit W12 të kolegut-rival Botas.

Drejtuesit e garës nuk kanë marrë pasa ndaj Rasell për atë incident. Ros Braun, për sitin zyrtar të Formula 1, është shprehur: “Jam i sigurt se të dy pilotët do ta rishohin incidentin dhe do të nxjerrin mësime. Në fakt, duket se Valteri Botas është spostuar nga e djathta, pa i lënë hapësirë Xhorxh Rasellit”.

Nga mesazhi i Rasell, më shumë se Botasit, ai i kërkon ndjesë menaxherit të tij Toto Volf, i cili të dielën e kishte kritikuar, por ishte vetëm një “tërheqje veshi” për të përkëdhelurin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë