Shendet

Raportimi tek shëndetësia, Koçiu (nuk) u përgjigjet pyetjeve për zjarrin tek Urgjenca

Raportimi tek shëndetësia, Koçiu (nuk) u përgjigjet pyetjeve për zjarrin tek Urgjenca

Nga Gazeta Si - Edhe pse zjarri tek urgjenca e QSUT ka rënë që më 11 shkurt, vetëm ditën e sotme ka filluar puna për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme ndërkohë që pritet që në maj të rifillojë puna.

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka raportuar sot te Komisioni i Shëndetësisë për zjarrin e rënë tek urgjenca, duke thënë se bëhet fjalë për një defekt që ka djegur kabujt elektrik, pa implikime serioze për Spitalin dhe pa dëmtuar pajisjet biomjeksore të këtij spitali.

Edhe pse pyetjet nga anëtarët e Komisionit kanë qenë specifike, përgjigjet e ministres nuk ishin të tilla, çka ka bërë që deputetët e opozitës të reagojnë me tone të larta, duke thënë se përgjigjet e ministres nuk kishin përgjigje.

“Nuk është një ngjarje e vogël. Duhet të kthehen përgjigje për çdo pyetje pasi vetë dëgjesa është krijuar për këtë”, tha deputeti Petrit Vasili.

Fillimisht ishte kryetarja e komisionit Zheni Gjergji e cila pyeti ministren se sa ishte dëmi që shkaktoi zjarri dhe cila është kompania që do të kryejë punimet.

Ministrja nuk dha një përgjigje konkrete edhe pse të dyja i trajtoi.

Fillimisht, Koçiu tha se aktualisht QSUT ka zhvilluar procedurat për të rikthyer shërbimin dhe kompania kontraktore fituese ka filluar sot punën për rehabilitimin, pa përmendur emrin e kompanisë.

Ndërkohë, Koçiu tha se Ministria e Shëndetësisë ka alokuar 300 mijë euro për të rikthyer në punë urgjencën. Kujtojmë që ndërtimi i urgjencës ka kushtuar 17 mln euro.

E pyetur nga deputetja Orjola Pampuri nëse ministria ka emra konkretë të personave të përfshirë në këtë incident, Kociu nuk u përgjigj, duke thënë se “është një ngjarje që është në hetim aktualisht nga Prokuroria e Tiranës”.

Disa pyetje të tjera që u ngritën tek komisioni i Shëndetësisë por nuk morën përgjigje ishin nëse ka ndonjë statistikë se si ka ndikuar zjarri tek fluksi i urgjencave, a i kanë spitalet rajonale pajisjet e duhura për të menaxhuar situatën dhe pse është kaq e vonuar përgjigja e ministrisë për të risjellë në punë urgjencën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë