Politike

Hetimi i PPP-ve në shëndetësi, Albana Vokshi: Skema që do ndjekim për transparencë, do apo s’do Rama

Nga Gazeta Si - Komisioni hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, check up-in dhe sterilizimin, nuk ka përparim që prej gati 10 ditësh. Puna ka ngecur mes debateve politike të maxhorancës dhe opozitës, duke bërë të pamundur ecurinë e procedurave të zakonshme hetimore.

Kërkesa e opozitës për firmosjen e një deklarate për konfliktin e interesit të anëtarëve ka shërbyer si shkas që socialistët të mos marrin pjesë dhe ta quajnë shkelje të rregullave.  Por për kryetaren e komisionit, Albana Vokshi, kjo është rruga ligjore dhe procedurat duhen respektuar. Në një intervistë për Gazeta Si, zonja Vokshi tha se të paktën dy prej anëtarëve nga PS janë në konflikt direkt interesi.

“Plarent Ndreca dhe Milva Ekonomi, të dy në konfilkt interesi. I pari ka qenë avokat për të pandehurit e njërit prej koncesioneve në hetim, e dyta ka ndjekur procedurat e koncesionit nën hetim.”- tha zonja Vokshi, e bindur se këto lëvizje kanë si burim mungesën e vullnetit nga kryeministri Rama për të hetuar. Albana Vokshi ka rezerva edhe për mënyrën sesi SPAK e ka hetuar çështjen dhe beson se, pavarësisht pengesave, një konkluzion nga komisioni, do të ketë. Ajo tregoi në intervistë edhe rrugën e ndërmjetme për të marrë informacion nga institucionet.

Gazeta Si: Pse është bllokuar puna e komisionit hetimor për dy koncesionet në shëndetësi?

Albana Vokshi: Ka vetëm një arsye për këtë dhe ai quhet Edi Rama. Ai bën gjithçka sa për sy e faqe, por është kundër llogaridhënies dhe synon të ketë kontroll mbi çdo pushtet. Me bllokimin e komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi, Edi Rama tregoi se nuk ka ndryshuar qasja e tij ndaj këtij mekanizmi kontrollues parlamentar. Edi Rama nuk do hetim parlamentar, nuk do kontroll të Parlamentit mbi ekzekutivin. Kontrolli parlamentar është një nga funksionet themelore të parlamentit, të cilin Edi Rama e refuzoi më parë duke i votuar kundër të 8 kërkesat për ngritjen e Komisioneve Hetimore në Parlament, në shkelje të Kushtetutës. Presioni i protestës 5 mujore së opozitës parlamentare, si dhe thirrja e BE dhe Ambasadorëve e shtrëngoi të pranonte ngritjen e komisioneve. Pra më parë e bëri duke bllokuar ngritjen e tyre në Parlament me forcën e kartonit, tani po i bllokon në Komision, ose me forcën e kartonit, ose duke bojkotuar në mënyrë arrogante mbledhjet e komisionit, në shkelje kushtetuese dhe ligjore. Shikoni dhe anëtarët përfaqësues të PS në komision. Plarent Ndreca dhe Milva Ekonomi, të dy në konflikt interesi. I pari ka qenë avokat për të pandehurit e njërit prej koncesioneve në hetim, e dyta ka ndjekur procedurat e koncesionit nën hetim. Pra, është provokim e hapur që dëshmon që Edi Rama ka vendosmërinë për të mos lejuar hetimin e dy prej aferave më korruptive më shendetësi, Sterilizimit dhe check-up. Kjo është arsyeja që deputetët e PS refuzuan edhe firmosjen e deklaratës për konfliktin e interesit. A mund të hetojë Plarent Ndreca klientët e tij nën akuzë dhe Milva Ekonomi veten e saj për procesin e hartimit të dokumenteve të koncesioneve? Nuk pres asnjë reflektim nga zoti Ndreca, pasi është një person me një mal akuzash për korrupsion në funksionet e larta që ka mbajtur në tre ministri, me shkelje të shumta evidentuar nga raportet e KLSH. Ndërsa zonjës Ekonomi i kam bërë thirrje publike të dorëhiqet nga anëtarësia në komision, në mënyrë që maxhoranca të mos tallet me qytetarët, që presin punë serioze dhe të ndershme nga ne.

Gazeta Si: Keni komunikuar me kolegët e PS, nëse ata do të bëhen pjesë në të ardhmen sipas rregullave të komisionit?

Albana Vokshi: Pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve përcaktohet në Ligjin për Komisionet Hetimore dhe në Rregulloren e Kuvendit. Pjesëmarrja nuk është me dëshirë, por e detyrueshme. Edhe pse e tillë, deputetët e maxhorancës kanë bojkotuar 4 herë radhazi mbledhjet e Komisionit Hetimor duke shkelur ligjin, që e ndryshuan vetë në mënyrë të njëanshme para disa javësh. Ligji dhe Rregullorja nuk e kanë lënë thirrjen e mbledhjeve ne dorën dhe dëshirën e maxhorancës, e cila ka shumicën në Komision, por ka përcaktuar se është Kryetari i Komisionit që thërret dhe drejton mbledhjet. Ligji duhet zbatuar! Kush nuk e zbaton, duhet të ndëshkohet siç ligji përcakton. Ligji për komisionet hetimore përcakton që, nëse deputetët nuk marrin pjesë më shumë së tre herë radhazi në mbledhjet e komisionit, për arsye të palegjitimuara, duhet përjashtuar. Kryetari i grupit parlamentar,  zoti Bardhi, i ka adresuar zyrtarisht  të gjithë problematikën Kryetares së Kuvendit, duke i kërkuar të marrë masa të menjëhershme për rikthimin në normalitet përmes zbatimit të ligjit nga ana e PS. Po ashtu, janë vënë në dijeni dhe Kryetari i grupit parlamentar të PS, di dhe trupit diplomatik. Personalisht, i jam drejtuar Kryetares së Kuvendit si Kryetare e Komisionit Hetimor, duke i kërkuar takim për të diskutuar mbi problematikën e hasur dhe marrjen e masave për ecurinë normale të punëve në komision.

Gazeta Si: Komisioni që ju drejtoni mund të thuhet se është kronika e një komisioni të dështuar parlamentar, përderisa PS ka theksuar disa herë se çështja e 2 koncesioneve është në gjykim dhe s’keni ç’provoni më shumë sesa SPAK?

Albana Vokshi: Nëse do të ishte kështu, atëherë nuk kishte arsye që deputetët e PS të bllokonin mbledhjet e komisionit. Në gjykimin tonë SPAK ka vepruar me dy standarde. Edi Rama, Ogerta Manastirlliu etj nuk janë marrë as të pandehur. Ilir Beqaj vetëm për shpërdorim detyre. Edhe kjo pas ndërhyrjes së Gjykatës. Kontratat me koncesionet nuk janë  shpërdorim detyre. Ato janë konceptuar si afera korruptive të niveleve më të larta të qeverisë së PD dhe u ekzekutuan si të tilla sapo PS erdhi në pushtet. Prandaj, komisioni hetimor është i nevojshëm dhe kemi kërkuar zbardhjen e këtyre dy aferave korruptive kriminale me pasoja të rënda në shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Gjetjet tona mund t’u vijnë në ndihmë edhe organeve të drejtësisë, nëse ata duan të shohin të vërtetën dhe të tregohen protektivë ndaj pushtetit të Edi Ramës. Gjithashtu, puna jonë me hetimin parlamentar, mund të çojë në propozimin e ndryshimeve ligjore, në mënyrë që këto afera të mos përsëriten më kurrë.

Gazeta Si: Ligji i ri i komisioneve hetimore përbën pengesë për opozitën? Keni hasur ju deri tani diçka të ndryshme nga ligji i mëparshëm?

Albana Vokshi: Ligjin e kanë hartuar në mënyrë të tillë që të pengojnë me forcën e kartonit çdo kërkesë të opozitës apo çdo procedurë. Kanë vendosur që çdo gjë kalon me vendime të ndërmjetme apo finale. Edhe një shkresë-kërkesë për informacion duhet me vendim të ndërmjetëm. Që do të thotë me shumicën e votave të maxhorancës në komision. Po ashtu, kanë shkuar në absurditet, sepse në bazë të ligjit nuk janë deputetët, por ekspertët ata që kryejnë punën, mbledhin provat, hartojnë planin hetimor etj, ndërkohë që kushtetuta përcakton që komisioni hetimor përbëhet nga deputetët, të kryejnë hetimin parlamentar. Kushtetuta përcakton komision hetimor parlamentar e jo komision ekspertësh, siç kërkon ta reduktojë Edi Rama dhe PS. Janë manovra politike për të ulur rëndësinë e Parlamentit dhe për të vështirësuar deri në pamundësi kontrollin parlamentar mbi qeverinë.

Gazeta Si: Ju thoni se do ta çoni hetimin deri në fund. Por në ç’formë, nëse nuk bashkëpunon PS?

Albana Vokshi: Kemi gjetur disa hapësira ligjore në mënyrë që të vijojë puna e komisionit. Edhe pse deputetët e PS votuan kundër dërgimit të shkresave për informacion tek institucionet që janë, që janë përfshirë në dhënien e koncesioneve në shëndetësi, me e kemi bërë hapin tonë të parë  të nisjes së hetimit parlamentar. Dërguam mbi 200 shkresa në disa institucione, bazuar në ligjin për statusin e deputetit. Tani po presim të shohim me çfarë serioziteti dhe përgjegjshmërie do të trajtohen këto kërkesa, pasi edhe në komisionet e mëparshme hetimore, ku përgjigjet ishin të detyrueshme me ligj, janë vënë re shmangie nga detyrimi ligjor, me qëllim për të mos dhënë llogari dhe për të fshehur të vërtetën e vjedhjes sistematike të shqiptarëve. Nëse puna e Komisionit Hetimor që drejtoj, do të vazhdojë të pengohet në vazhdimësi, përveç Kryetares së Kuvendit, do t i drejtohem instancave të tjera të Kuvendit që të marrin masat përkatëse ndaj deputetëve shkelës të ligjit dhe pengues të veprimtarisë kontrolluese të parlamentit. Gjithashtu, do të informoj trupin diplomatik për zhvillimet në komisionet, duke e konsideruar themelore për të ardhmen e vendit në BE mënyrën sesi Parlamenti ushtron të drejtat dhe detyrimet e veta për të kontrolluar qeverinë. Përfaqësuesit e opozitës në komisionin hetimor dhe unë jemi të vendosur të bëjmë transparencë për dy koncesionet, në çdo formë dhe çdo mënyrë, do apo nuk do Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë