Futboll

Raporti UEFA, futbolli shqiptar në kolaps financiar

Për të 11 vit radhazi UEFA ka përgatitur raportin për 55 ligat e Europës, që në total shkojnë në 700 klube, ku bie në sy se klubet shqiptare kanë shpenzuar 4 milionë euro për pagat e lojtarëve dhe stafeve të ekipeve, e njëjta shifër me klubet kosovare, duke u renditur në vendet që paguajnë më pak në rajon.

Kështu, sipas UEFA-s, të ardhurat për futbollin shqiptar shënojnë 5-15% rënie në vitin e fundit dhe Kategoria Superiore regjistrohet mes 9 vendeve të vetme evropiane që kanë shënuar rënie të të ardhurave në vitin 2018 (sezonin 2018-2019), kurse trendi i përgjithshëm në kontinent është që të ardhurat janë në rritje.

Sipas UEFA-s, Superiorja në vitin 2018 ka pasur 7 milionë euro të ardhura për të gjitha klubet e elitës. 47% e këtyre të ardhurave vjen nga donacionet e UEFA-s, nëpërmjet shumave që sigurojnë klubet nga pjesëmarrja në Europë, donacionet nëpërmjet fondeve të solidaritetit, etj, duke shënuar një ulje në raport me vitin e kaluar (74%). 41% rezultojnë të jenë sponsorizime të mirëfillta të regjistruara, 8% klasifikohen si “të ardhura të tjera”, 1% është totali i të ardhurave nga e drejta televizive, 3% janë të ardhurat që përfitojnë klubet nga shitjet e biletave në stadiume.

Në Shqipëri rrogat e futbollistëve kanë pësuar një rënie me 29% të tyre, kurse në Kosovë, në krahasim me një vit më parë, pagesat mesatare të futbollistëve janë rritur me 92%. Kategoria Superiore është kampionati me rënien më dramatike, duke na kaluar edhe Lihtenshtejni me -17%.

Sipas të dhënave që zotëron UEFA, futbolli shqiptar gjatë edicionit 2017-2018, ka regjistruar një rritje të ndjeshme të pranisë së spektatorëve në stadiume.

Sipas UEFA-s, klubet shqiptare janë pa strategji marketingu, nëse në ekipet e tjera europiane një nga burimet kryesore të të ardhurave të një klubi është sponsori mbi fanellë, në vendin tonë një gjë e tillë nuk shihet si mjet fitim.

 

Më Shumë