Shqipëria renditet në vendin e 25-të në botë nga 156 shtete, në Indeksin e hendekut Gjinor të vitit 2021, të publikuar nga Forumi Ekonomik Global.
Barazia gjinore në vendin tonë është 77%, ndërkohë që duhet edhe 23% për të mbyllur plotësisht hendekun.
Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët edhe se në shtete të zhvilluara të Europës, si Italia, Spanja, apo Danimarka ndërsa në rajon, jemi të dytët pas Serbisë, që renditet në vend të 19-të.
Krahasuar me vitin 2020 vendi ynë ka humbur 5 pozicione në renditjen globale.
Gratë shqiptare renditen në vendin e 35-të në botë për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, ndërsa për arritjet në edukim renditen në vendin e 42-të.
Shqipëria e ka treguesin më të mirë në fuqizimin politik ku renditet e 30-a ndërsa renditjen më të përkeqësuar në vend të 147, e kemi për shëndetin dhe mbijetesën.
Në vendet e para në botë për hendek të ulët gjinor mes femrave dhe meshkujve renditen Islanda, Finlanda, Norvegjia dhe Zelanda e re ndërsa Forumi Ekonomik thekson se do të duhen 135.6 vjet për të mbyllur hendekun gjinor në të gjithë botën.
Në rang global Hendeku gjinor në Fuqizimin Politik mbetet më i madhi nga katër treguesit.
Në 156 vendet e mbuluara nga indeksi, gratë përfaqësojnë vetëm 26.1% të rreth 35.500 vendeve në parlament dhe vetëm 22.6% të mbi 3,400 ministrave në të gjithë botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.