Futboll

Raporti i UEFA-s, zbulohen akuza të reja sponsorizimi fiktiv për kampionët e Europës

Gazeta Si - The Times ka zbuluar një dokument të federatës që drejton futbollin europian, që përmban financime të kamufluara që kanë të bëjnë me periudhën 2012-2013 të Mançester Sitit.

Ja ku jemi sërish, Mançester Siti nën akuzë për sponsorizime fiktive. Janë financime që kanë kaluar si sponsorizime në shifrën e 30-35 milionë stërlinave në periudhën 2012-2013. Faktet kanë dalë nga një dokument i UEFA-s, i zbuluar nga The Times, dhe akuzojnë direkt Mançester Sitin. Shifra duhej të vinte nga kompania Etisalat, kurse nga raporti që nuk është bërë kurrë publik duket se vjen nga Abu Dhabi United Group, në pronësi të Mansour bin Zayed Al Nahyan, që ka Sitin.

Mansour bin Zayed Al Nahyan, pronari i Mançester Sitit. Gazeta Si, 30 qershor 2023

Sipas asaj që shkruhet në dokument gjatë një udience disiplinore të UEFA-s, Siti ka treguar Jaber Mohamed si personin që ka bërë pagesën. Nga hetimet ka qenë e pamundur që të zbulohet identiteti real. Klubi anglez ka treguar se Mohamed është një "person që merret me shërbimet financiare dhe ndërmjetësime për entet tregtare në Emiratet e Bashkuara Arabe."

Avokatët e Sky Blues kanë pohuar se shifra ka ardhur nga Etisalat si shlyerje e një borxhi ndaj pronarit të klubit. Ky variant nuk është vlerësuar i besueshëm nga UEFA dhe solli skualifikimin me 2 vjet nga kupat e Europës, që më pas u pezullua nga sentenca e KAS-it të Lozanës, sepse kishte kaluar koha e regjistrimit. Në Angli disa hetime janë ende të hapura në listën e 115 shkeljeve të rregullores financiare të Sitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë