Rend dhe Ligj

Raporti i Prokurorisë/ Mbi 4 mijë të përgjuar, 256 vetë në kërkim

Në Shqipëri gjatë vitit të kaluar 11 persona në ditë janë përgjuar nga Prokuroria. Në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme të depozituar në Parlament për punën e kryer në vitin 2018 rezulton se gjatë vitit të shkuar janë ekzekutuar gjithsej 3063 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, të nisura pas 715 procedimeve penale. Nga këto, sipas raportit, 147 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në dobi të dosjeve hetimore rezulton se është kryer interceptimi për 4168 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Për sa i përket përgjimeve në Shqipëri debatet më të bujshme u përkasin dy dosjeve të veçanta me numrat 339 e bandës së Shijakut, për të cilën opozita flet për përfshirje të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe Dosja 184 e Dibrës ku opozita akuzon se eksponentë të tjerë socialistë janë përfshirë në shitblerjen e votave. Opozita ka përmendur se në këto përgjime dalin emrat e Vangjush Dakos, Damian Gjiknurit, Ulsi Manjës e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe të 4 deputetëve socialistë të tjerë.
Si efektivitet i përgjimit të komunikimeve elektronike në hetimet paraprake, raporti vlerëson se gjatë vitit 2018 në sajë të kësaj teknike hetimore, është arritur në arrestimin/ndalimin e 619 personave të dyshuar për krime kundër personit, vepra penale në fushën e narkotikëve, korrupsion e shpërdorim detyre, trafiqe e kalim i paligjshëm i kufirit apo vepra të tjera të rënda, duke parandaluar kështu pasoja për shtetin e shtetasit.


Grafiku i mëposhtëm paraqet procedimet sipas grup-veprave penale për të cilat është kërkuar përgjimi i komunikimeve elektronike në hetimet paraprake


Prokuroria thekson se prioritet të punës së saj ka qenë rritja e numrit të hetimeve dhe në veçanti hetimeve proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në nivel zyrtarësh të lartë dhe të mesëm, funksionarëve të sistemit të drejtësisë, të zgjedhurve në nivel qendror dhe vendor.
Sa i përket veprave penale për korrupsion materiali i Prokurorisë thekson se numrin më të lartë në procedimet e regjistruara e zë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, e konkretisht në masën 43 % të tyre, ndërsa për vitin 2017 kjo vepër përbënte 22 % të totalit të procedimeve për korrupsion. Procedimet e regjistruara për këtë vepër janë rritur nga 61 procedime në vitin 2017, në 74 procedime në vitin 2018 ose me rritje 21 % të procedimeve të regjistruara.

Sipas nenit 259, kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë. Gjatë vitit të kaluar janë hapur hetime dhe për 3 prokurorë apo gjyqtarë që kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv, ndërsa 29 vepra penale për korrupsion pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.

Për veprën penale të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, për vitin 2017, prokuroria ka regjistruar 1 procedim penal dhe për veprën penale të parashikuar ne nenin 319/ç të Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe zyrtarëve të tjerë të drejtësisë”, prokuroria ka regjistruar 14 procedime penale, ndërkohë 1 çështje penale është dërguar në gjykatë.
Në raportin vjetor theksohet se sa i përket veprës penale të korrupsionit janë kryer hetime penale aktive duke vënë në përdorim teknikat e posaçme për 93 procedime penale, çka nënkupton se janë realizuar edhe nëpërmjet përgjimeve.

Sipas shifrave, 30 procedime i përkasin Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 63 procedime i përkasin prokurorive të tjera. Kjo veprimtari ka shërbyer në kapjen e 73 personave (të arrestuar në flagrancë apo ndaluar) si të dyshuar për përfshirjen në kryerjen e veprave penale, të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, ndërkohë 14 persona/autorë të dyshuar i përkasin kompetencës të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 59 persona/autorë të dyshuar, në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

256 shtetas në kërkim ndërkombëtar
Gjatë vitit 2018 prokuroria ka shpallur në kërkim ndërkombëtar gjithsej 256 shtetas dhe ka kërkuar që Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana të procedojë me heqjen e 63 subjekteve nga listat e kërkimit ndërkombëtar. Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme ka trajtuar në kohë reale gjatë vitit 2018 edhe 401 kërkesa të ndryshme të ardhura nga autoritetet gjyqësore vendase e ato të huaja. Në kërkim ndërkombëtar janë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Heqjen nga lista e 63 personave lidhet me faktin se çështjet ndaj tyre janë pushuar, ose eshte kryer arrestimi i tyre në territorin shqiptar apo eshte shuar dënimi për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit të dhënë. Gjatë vitit 2018 Prokuroria thekson se janë paraqitur gjithsej 171 kërkesa ekstradimi për shtetasit shqiptarë apo të huaj, të cilët janë arrestuar ose lokalizuar nga autoritetet policore të shteteve të tjera. Kjo pasi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e një vendimi penal dënimi të formës së prerë, ose vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të dhënë nga gjykatat shqiptare.

Grafiku i ekstradimeve gjatë viteteve 2017-2018

Nga të dhënat statistikore konstatohet se, gjatë vitit 2018, numri më i madh i kërkesave për ekstradim vijon t’u jetë paraqitur autoriteteve italiane, greke, gjermane, britanike, franceze përkatësisht me nga 47, 26, 19 14 dhe 11 kërkesa; 6 kërkesa janë paraqitur për autoritetet gjyqësore amerikane, hungareze dhe spanjolle, si dhe 5 Zvicrës, 3 kërkesa Kosovës. Gjatë vitit 2018 numri më i lartë i kërkesave të ekstradimit për shtetasit shqiptarë ose të huaj, të arrestuar në territorin e Republikës së Shqipërisë është paraqitur nga Italia me 71 kërkesa, Kosova 8 kërkesa, Gjermania dhe Zvicra me nga 6 kërkesa, Austria, Kroacia, Mali i Zi me nga 4 kërkesa.

Për Prokurorinë e Përgjithshme në një vit janë përfunduar 30615 çështje, 38,5 % janë dërguar për gjykim, 21,7 % janë pushuar, 35,6 % janë pezulluar dhe 4,2 % janë transferuar në prokurorinë kompetente. Konkretisht në vitin 2018 janë dërguar në gjykatë 118.019 çështje me akuzë ndaj 13.414 të pandehurve. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2018 janë dënuar 10.246 të pandehur dhe për 211 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm. Gjatë vitit 2018 është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 315 çështje me 318 të pandehur. I janë dërguar gjykatës 591 kërkesa për miratim të urdhrit penal në lidhje me 619 të pandehur dhe në 43 raste është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal.

I janë dërguar gjykatës 570 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë në lidhje me 621 të pandehur dhe në 38 raste është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes. Gjatë vitit 2018, u dërguan në gjykatë për pushim 2605 çështje. Nga të dhënat rezulton se në 169 çështje gjykata vendosi kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ndërsa në 12 çështje vendosi kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës.

Kriminaliteti sipas qyteteve
Numrin më të madh të procedimeve e ka Tirana me 9867 raste, më pas Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Vlora. Përqindjen më të ulët të kriminalitetit e ka Qarku i Dibrës ndërsa përqindjen më të lartë Qarku i Vlorës. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2018 e kanë Qarku i Durrësit e Qarku i Fierit, ndërsa ulje e kriminalitetit vërehet në Kukës, Gjirokastër e Berat. Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100.000 banorë në vitin 2018 është 1094 po aq sa edhe në vitin 2017.


Koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë. Viti 2018
Qarku Berat 747
Qarku Dibër 622
Qarku Durrës 1208
Qarku Elbasan 851
Qarku Fier 890
Qarku Gjirokastër 1199
Qarku Korçë 970
Qarku Kukës 761
Qarku Lezhë 1283
Qarkun Shkodër 1122
Qarku Tiranë 1176
Qarkun Vlorë 1716

Gjatë vitit 2018 janë ekzekutuar 8104 vendime penale të formës së prerë, ndërsa kanë mbetur pa u ekzekutuar 3916 vendime. Numri i vendimeve sipas llojit të tyre të mbetura pa ekzekutuar është 3 dënime me burgim të përjetshëm, 549 vendime me burgim, 1410 vendime për dënimin me gjobë, 59 dënime plotësuese dhe 1895 dënime alternative.

Tabela e Ekstradimeve
Ekstradime nga jashtë - 171 kërkesa;
Ekstradime për jashtë - 128 shtetas;
Letërporositë nga jashtë - 668 letërporosi;
Letërporositë për jashtë - 782 letërporosi;
Njohjet e vendimeve penale të huaja - 48 kërkesa;
Njohjet e vendimeve penale shqiptare jashtë vendit - 11 kërkesa;
Transferimet e procedimeve nga jashtë- 20 raste;
Transferimet e procedimeve për jashtë - 14 procedime penale;
Transferimet e personave të dënuar nga jashtë - në 4 raste;
Transferimet e personave të dënuar për jashtë - 10 kërkesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë