Politike

Raporti i KLSH, Tabaku: Rama ka fshehur 610 milionë euro borxhe

Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama, pasi sipas saj ka manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur 600 milionë euro borxh!
Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në një dalje për mediat nga selia blu akuzoi sot qeverinë dhe tha se çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë 200 euro shtesë vetëm prej borxhit të fshehur të Edi Ramës.
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se qeveria ka gënjyer dhe manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur 600 milionë euro borxh! Kjo do të thotë se çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë 200 euro shtesë vetëm prej borxhit të fshehur të Edi Ramës.
Fshehja e shifrës së borxhit është tregues jo vetëm i paaftësisë dhe pazotësisë, por kjo fshehje dëshmon manipulimin dhe kriminalizimin e qeverisë deri në pikën që shkatërron tërësisht të dhënat dhe besueshmërinë e publikut”, tha ish-deputetja Tabaku për mediat.
Ish-deputetja Tabaku iu referua raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa theksoi se llogaritja e saktë e borxhit publik sipas standardeve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, do të ishte 81%.

Borxhi i fshehur

“Qeveria ka vazhduar të gënjejë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare duke pohuar se kanë ulur borxhin publik, në 67.2%.
E vërteta është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standardeve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%”, deklaroi më tej Tabaku.
Tabaku ndër të tjera u shpreh se duhet të zhbëhet sistemi i Edi Ramës për të pasur një Shqipëri më miqësore ndaj biznesit dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
“Lufta jonë do të jetë për një Shqipëri më miqësore ndaj biznesit, duke zhbërë sistemin e Edi Ramës nga i cili fitojnë vetëm oligarkët e tij dhe klientët e familjes së tij, që kanë shtypur biznesin me monopolet dhe mungesën e konkurrencës së ndershme!
Ne besojmë se zotësia në një treg të lirë, mundësitë e barabarta për të gjithë dhe jo miqësia me kryeministrin dhe qeveritarët e tjerë është rruga e ndershme për t’u pasuruar dhe për të krijuar mirëqenie”, u shpreh ndër të tjera ish-deputetja e Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë