Biznes

Raporti i DASH / Korrupsioni, ekonomia informale dhe PPP-të po përkeqësojnë klimën e biznesit

Raporti i departamentit Amerikan të Shtetit (DASH)  për vitin 2021 vlerëson sërish me nota kritike për klimën e biznesit në Shqipëri.

 DASH e vë theksin në projektet e partneritetit publik privat (PBB) të cilat cilësohen problematike, pa një analizë të qartë kosto-përfitime dhe që kanë ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë dhe investitorët e huaj. Si rrjedhojë e problemeve gjyqësore, DASH vë në dukje se u penguan përpjekjet e një kompanie amerikane për të investuar në Shqipëri.

“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në e-reformat, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e padrejtë, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme.

Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP janë shqetësime të vazhdueshme.

Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë të SHBA-së janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.

Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”, shkruhet në raport.

Raporti shton se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri sepse është e vështirë të fitosh një titull të qartë. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Procesi i kompensimit të tokës së konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i papërshtatshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë