Futboll

Raporti i CIES/ Koronavirusi zhvlerëson lojtarët, më shumë se 9 miliardë euro humbje

Pritet një kolaps në vlerën e futbollistëve, që mund të ndryshojë në mënyrë drastike merkaton. Është pasoja që, sipas vlerësimeve të CIES Football Observatory, do të sjellë kriza e diktuar nga pandemia e koronavirus. Analiza, si zakonisht, përqendrohet mbi 5 kampionatet kryesorë evropianë e përcakton një rënie të përgjithshme prej 28%, nga 32,7 në 23,4 miliardë euro. Lojtari i marrë shembull është Paul Pogba, i cili në teori është një nga më të kërkuarit në merkato: vlera e tij e merkatos pritet të shkojë nga 65 në 35 milionë euro.

Studimi është kryer në bazë të hipotezës se nuk do të luhet asnjë ndeshje nga tani deri në fund të qershorit dhe se asnjë kontratë nuk do të rinovohet. Reduktimi ndryshon në varësi të disa faktorëve, përfshirë moshën e lojtarëve, kohëzgjatjen e kontratës, ecuria e karrierës dhe ndeshjet e fundit. Humbjen kryesore në terma relativë e kanë lojtarët më të vjetër me kontrata të shkurtra e që kanë luajtur më pak në këtë sezon sesa ai i mëparshmi (mes tyre edhe Pogba).

Studimi i CIES, bazohet mbi një algoritëm të zhvilluar nga skuadra e kërkimit dhe më pas harton një renditje të klubeve më të goditur, duke patur në konsideratë zhvlerësimin e 20 lojtarëve më të kushtueshëm të çdo skuadre. Në vendin e parë renditet Olympique Marseille, që pritet të humbasë 37,9% të vlerës së transferimeve të lojtarëve në skuadër (nga 256 milionë të 11 marsit deri në 159 në 30 qershor me një rënie prej 97 milionë).

Te skuadra italiane, Inter vlerësohet me 773 milionë, por nëse nuk nis sezoni, do të pësonte një zhvleftësim prej 35.7% (276 milionë). Në mesin e italianeve, Lazio (-33%, nga 348 në 234 milion), Milan (-31%, nga 461 në 317 milion), Napoli (-30%, nga 608 në 427 milion), Juventus  (-28%, nga 783 në 561 milion), Roma (-27%, nga 540 në 393 milion) dhe Atalanta (-22%, nga 316 në 247 milion). Në terma absolut, humbjen më të madhe ndër të mëdhenjtë do ta pësojë Manchester City (-412 milionë), ndjekur nga Barcelona (-366 milionë), Liverpool (-353 milionë), Real Madrid (-350) e PSG (-302).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë