Ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja rënieje para tërmetit dhe pandemisë, për të dyfishuar të ardhurat i duhen rreth 26 vite dhe është e paqëndrueshme e me varësi të theksuar nga eksporti i energjisë elektrike.
Këto janë gjetjet kryesore të një analize të kryer nga Akademia e Studimeve Politike. Ekspertë të ASP kanë analizuar rritjen ekonomike dhe taksat nga 2009 deri në 2019, ku bëjnë pjesë edhe dy regjime të ndryshme fiskale, ai i sheshtë prej 10 për qind dhe ai progresiv deri në 23 për qind.
Duke analizuar rritjen ekonomike, ASP thotë se cikli i biznesit ishte në kurs rënës para 26 nëntorit të 2019-ës, pavarësisht se në 2018-ën, rritja ekonomike prej rreth 4.1 për qind ishte më e larta në dhjetë vitet e fundit. Por, FMN vlerëson se kontributi i sektorit energjetik në rritjen ekonomike në vend për vitin 2018 ishte 1.8%.
“Po të zhveshim këtë efekt nga surplusi mbi trendin mesatar do të shohim se viti 2017 ishte viti me rritjen më të lartë pas 2013 dhe jo viti 2018. Për të kuptuar që trendi i reduktimit të rritjes kishte filluar para tërmetit të 26 Nëntorit mjafton të shihen të ardhurat e gjeneruara nga administrata tatimore për vitin 2019. Sipas të dhënave të MFE, të ardhurat nga TVSH, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin e brendshëm ekonomik, rezultojnë me rënie të vazhdueshme. Edhe të ardhurat nga Taksat Kombëtare, të cilat gjithashtu janë të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin ekonomik, paraqiten me rënie të vazhdueshme për vitin 2019”, thuhet në dokumentin analitik të ASP.
ASP arrin në përfundimin se për dyfishimi i të ardhurave, që do të thotë dyfishim i Prodhimit të Brendshëm Bruto, në bazë të rritjes mesatare prej 2.68 për qind ekonomisë shqiptare i nevojiten 26 vite.
Nga analiza në fjalë mes dy periudhave, viteve 2009-2012 dhe 2015-2018 tregon se pozicionimi i taksave të ulëta dhe atyre të larta i ka shërbyer më shumë qëndrimit ndaj borxhit publik, sesa performancës ekonomike.
“Gjallërimi i rritjes ekonomike në afatgjatë duhet të jetë prioritet i orientimit të reformave dhe politikave në tërësi drejt nxitjes së formave produktive dhe novatore të biznesit, rritjes së produktivitetit të faktorit punë dhe diversifikimit të ekonomisë”, rekomandon ASP.
Në lidhje me borxhin, në analizën e ASP në fund të 9-mujorit 2020, thuhet se ai arriti në 79.9 për qind të PBB-së, duke u rritur me 13.6 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2019, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Europian.
ASP thotë se barra e përjashtimeve tatimore me një kosto prej 5.57 për qind të PBB në buxhet është tepër e konsiderueshme dhe kërkon vëmendje të shtuar. Rekomandohet kushtëzimi me akt ligjor i analizave sasiore kosto-përfitime për çdo përjashtim tatimor dhe ndjekja e tyre në kohë.
Rekomandohet gjithashtu vendosja e përkohshme e një progresiviteti në tatim-fitim dhe në të ardhurat jo nga puna deri kur ekonomia të ketë rikuperuar kostot e krizave.
Ndër gjetjet e pasqyruara në këtë dokument analizues është edhe se efekti i dy goditjeve të njëpasnjëshme tregon se jemi me rënie ekonomike për të katërtin tremujor radhazi, duke hyrë në recesionin më të thellë që prej vitit 1997.
Nga analiza e sektorëve të ekonomisë, rezulton se vetëm bujqësia (+1.8 për qind) dhe ndërtimi (+5.94 për qind) kanë pasur rritje në nëntëmujorin e 2020. Rënie të fortë kanë pësuar tregtia me shumicë/pakicë, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 15 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.