Ne rrjet

Raporti: Burgjet shqiptare kapicë!

Në një raport të fundit nga World Prison Brief (WPB), një sistem të dhënash që ofron informacion për sistemin e burgjeve në mbarë botën, tregohet se Shqipëria është një ndër vendet me burgjet e përmbushura plot, më shumë se 100%, ndërkohë që për vendin tonë, niveli maksimal i zënies së burgjeve, është 105.6%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë së në Shqipëri gjatë vitit 2017 numëroheshin 5418 të burgosur, prej të cilëve 5323 burra dhe 95 gra dhe në krahasim me një vit më parë, numri i të burgosurve ka rënë me gati 9%.

Të dhënat, tregojnë se vendin e parë e zënë krimet në lidhje me drogën me 1602 të dënuar, saktësisht një e treta e totalit të të dënuarve në burgjet e vendit tonë. Gjithashtu në krahasim me një vit më parë janë shtuar me 23%.

Vepra e dytë penale më e përhapur në Shqipëri, me rreth 19% e totalit të të burgosurve, është vjedhja. Për vitin 2017 numri i të burgosurve për vjedhje ishte 1,046, rreth 80 të burgosur më shumë se një vit më parë. Ndërsa gjatë vitit të kaluar ka pësuar një rënie duke përcaktuar 442 të dënuar.
Vepra e tretë penale me më shumë të burgosur në burgje, është vrasja. Shqipëria renditet një ndër vendet me numrin më të lartë të vrasjeve në Europë. Gjatë vitit 2017-n kishte rreth 992 të burgosur për vrasje. Ndërsa në 2018-n u evidentuan 59 autorë të veprës penale të vrasjes me dashje, nga 48 një vit më parë.
Një faktor shqetësues për shoqërinë janë edhe vrasëset gra. Vrasja është krimi më i shpeshtë i të burgosurave gra, i ndjekur nga krimet në fushën e drogës 16 të dënuara dhe vjedhjet 12 të dënuara.
Ndërkohë që edhe të burgosurit për plagosje janë përgjysmuar. Nga 101 që rezultuan në 2017, arritën në 40 gjatë vitit 2018.
Ndërsa të burgosurit për veprën penale të abuzimeve seksuale gjatë këtij viti u regjistruan 114 autorë.
Edhe pse me anë të amnistisë që u zhvillua në janar të 2017 u liruan 747 të burgosur në të gjithë vendin, veprat penale të mashtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit janë rritur përsëri. Sipas të dhënave të burgosurit për mashtrim janë rritur me 57%, ndërsa të burgosurit për shfrytëzim prostitucioni janë rritur me 34%.

Gjithashtu me rritje është përcaktuar edhe dhuna në familje, duke arritur në një nivel rekord të rreth 4200 rasteve.
Ndërsa në të gjithë rajonin e Ballkanit, raporti cilësoi se pas vendit tonë numrin më të lartë të të burgosurve e kishte Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, Serbia me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, Maqedonia me 134 të burgosur për 100 mijë banorë.
Gjithashtu, pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi, numri i të burgosurve u rrit ndjeshëm, për çdo 100 mijë banorë llogariten rreth 287 të burgosur.
Në rang ndërkombëtar numrin më të lartë të të burgosurve për vitin e kaluar e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas të dhënave të publikuara për 100 mijë banorë kishte 655 të burgosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë