Taksa

Raporti: Bashkitë inefiçente në mbledhjen e taksave

Megjithëse të dhënat zyrtare për periudhën 9-mujore tregojnë për rritje të numrit të lejeve të ndërtimit, të ardhurat përkatëse nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vlerësohet të jenë tkurrur me rreth 15.7% në terma vjetorë.

Të dhënat i ka publikuar Instituti për Zhvillimin e Habitat Co-Plan në raportin më të fundit për financat publike vendore.

Referuar raportit, taksat e mbledhura nga bashkitë kanë një peshë prej vetëm rreth 1.7% në buxhetin e njësive administrative të vendit.

Pjesa tjetër e të ardhurave përbëhet nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike që luajnë rolin kryesor në buxhetin vendor me rreth 31.1% dhe të ardhurat nga burimet e veta vendore që përfaqësuan rreth 29.2%.

Në ecurinë e të ardhurave nga burimet e veta vendore, ndër taksat vendore kontributin kryesor e kanë dhënë sërish të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (kryesuar nga Bashkia e Tiranës) dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (taksa e ndërtesës).

Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paaluajtshme kanë qenë larg potencialeve të mbartura. Të ardhurat nga tarifat vendore për shërbimet publike, përdorimin e hapësirave publike dhe të fasadave, tarifat administrative kanë kontribuuar pozitivisht në të ardhurat vendore për nëntë muajt e parë të vitit 2018. Të ardhurat nga burimet e veta vendore në fund të nëntë muajve të parë të vitit 2018, (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asetet dhe të tjera) kanë shënuar rreth 17.2 miliardë lekë, rreth 3.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e të ardhurave nga burimet e veta vendore u përcaktua konsiderueshëm nga ecuria pozitive e të ardhurave nga tarifat vendore. Kurse kategoria e taksave vendore, ka kontribuuar negativisht në performancën përgjithshme të të ardhurave nga burime të veta vendore.

Shpenzimet

Bashkitë i kanë rritur me 2% shpenzimet në terma vjetorë duke kryer rreth 60.3 miliard lekë shpenzime. Si strukturë shpenzimesh, këtë portofol e dominojnë shpenzimet për personelin dhe ato operative. Shpenzimet kapitalepër nëntë mujorin janë tkurrur me rreth 11.3% në terma vjetorë.
Bashkitë kanë investuar rreth 18.1 miliardë lekë, ndër të cilat rreth 11.3 miliardë lekë ishin me fonde të veta dhe rreth 6.8 miliard lekë me fonde të kushtëzuara. Strehimi dhe zhvillimi i komunitetit, infrastruktura rrugore, ujësjellës-kanalizimet dhe arsimi, vijojnë të jenë funksionet që përthithën pjesën më të madhe të investimeve publike vendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë