Qëndresa Qytetare ka publikuar raportin për monitorimit mbi premtimet e qeverisë për arsimin. Raporti i siguruar nga Gazetasi.al konstaton se vijojnë ende të mos mbahen premtimet lidhur me Paktin për Universitetin.
Është konstatuar se prej 3 vitesh është bërë publik projekti 3D i kampusit universitar në Qytetin Studenti, por deri në qershor 2022 janë restauruar vetëm 3 nga 27 godina.
Mbyllja e fondit të ekselencës
Kampusi i Arteve dhe Politeknikut nuk kanë nisur ende nga puna, ndërkohë konviktet e Universitetit Bujqësor kane përfunduar sipas premtimit.
Në raportin e organizatës shkruhet se premtimi për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare ishte një proces që nuk nisi dhe as u financua në këtë vit qeverisje, përkundrazi u mbyll fondi i ekselencës.
“Dallëndyshja e parë e këtij procesi, Universiteti Teknik i Stambollit nuk erdhi këtë pranverë me programe studimi të përbashkëta në vendin tonë. Pavarësisht premtimeve dhe ri premtimeve prej 5 vitesh për eliminimin e mësimit me turne, aktualisht në Shqipëri 100 shkolla zhvillojnë mësim me turne dhe nxënësit e 2558 klasave mësojnë në mënyrë kolektive. Programi i arteve dhe zejeve dhe ai i kodifikimit nuk filloi gjatë vitit shkollor 2021 – 2022”,thuhet më tej në raport.



Aktivistët e organizatës kanë konstatuar se 4 vite më vonë, edhe pse Pakti për Universitetin përmendet si histori suksesi nga politikanët, vijojnë të përmbushen vetëm pikat e reduktimit te tarifave dhe bursave.
Sipas të dhëna studentet kërkuan “Transparence” dhe ju dha një faqe internet(Utransparenca) që nuk punon.
Gjithashtu, faqja e internetit ku mund të mësonin nuk përmban kurrikulën që ata kanë në universitet.
Më tej është konstatuar se edhe portali "www.punetembare.al" që do siguronte punë për studentët i cili nuk funksionon.


“Kërkuan veting pedagogesh, ju dha një faqe interneti që sot nuk punon”, shpjegohet më tej në raport.
Situatë kaotike me abonetë
Lidhur me situatën e vështirë social ekonomike që po kalojnë studentët në kryeqytet në raportin e Qëndresës thuhet se numri i aboneve të studentit ka qenë më i ulët se kërkesa e studentëve, e për rjedhojë çdo fund-muaj ka shkaktuar kaos, stres dhe “lufte” mes studentëve.
Mungesa e abonesë rrit me 20 deri në 30 euro në muaj kostot e studentëve që nuk përfitojnë abone të transportit publik, duke penguar mobilitetin e studenteve ne kryeqytet.
Në raport shkruhet gjithashtu se kredia studentore edhe pse një mekanizëm i parashikuar në ligjin për arsimin e lartë prej 6 vitesh, nuk zbatohen për shkak të mungesës së akteve nënligjore.
Njëkohësisht raporti përcakton se është domosdoshmëri, edhe rritja e kapaciteteve akomoduese në konvikte të cilat akomodojnë vetëm 7% të studentëve dhe buxhetimi i kartës së studentit, me qëllim mundësimin e shërbimeve falas për studentët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.