Lajme

Rama: Vangjush Dako është dhe do të mbetet miku im

Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i përfshirë nga Departamenti Amerikan i Shtetit në listën e personave që i ndalohet familjarisht hyrja përjetësisht në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vangjush Dako është edhe do të mbetet miku im. Nuk m’i përcakton Departamenti i Shtetit mua se kë kam mik dhe kë jo. Por, ama të jeni të sigurtë që me Vangjush Dakon, as më ka kërkuar dhe as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të enjte.

Sa i takon anti-KÇK, Kryeministri përsëriti se ligji është një instrument që i jepet në dorë drejtësisë së re për të ndëshkuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe aleatë me krimin pa pritur vettingun. Ai shprehu bindjen se do të ndëshkohen ata që kapen në shkelje.

“100% po, me këtë që kemi kaluar dje 100%. Nëse gjykatësi jep një vendim skandaloz. ILD ka të drejtë të bëjë verifikimet. KLGJ dhe KLP e pezullojnë, pastaj në grupin e verifikimit do jenë të gjithë inspektorët”, tha ai.

Kryeministri e cilësoi emergjente dhe këmbënguli se kjo nuk mund të realizohej më parë.

“Emergjenca sot është dalja nga kontrolli e KÇK-së dhe nevoja për ta vënë nën kontroll. Këtë plan do ta bënim më vonë, më shpejt nuk bëhej kurrë”, u shpreh ai.

Rama pranoi foton e publikuar në media pak ditë më parë, ku në Elbasan në krah të tij shfaqet Ardjan Çapja, të cilit OFL i dorëzoi kërkesën për të justifikuar pasurinë që zotëron.

“Është holli i një hoteli ku unë kam qenë duke hyrë, apo duke dalë. Më kanë ardhur këta persona dhe më tha a mund të bëjmë një foto. Kam dhe disa foto, sepse në ato dy tre herë që kam qenë atje kam qenë për vente. Në atë hotel ka një sallë konference, kemi bërë një foto dhe çfarë tregon kjo?”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë