Politike

Rama: Unë treni, Basha karrocë me kalë. Negociatat? Nuk e di qëndrimin e Francës

Kryeministri Edi Rama “injoroi” propozimin e Lulzim Bashës, i cili deklaroi pas një takimi me aleatët këtë të mërkurë se në tryezën e Qeverisë ishte platforma e opozitës për daljen nga kriza, së bashku me propozimin për reformën zgjedhore. Kreu i PD-së i la dy rrugë Kryeministrit; ose realizimin e kësaj platforme, ose të hapte krahun.

“Tërmetet artificiale unë kam në dorë t’i krijoj, por jo t’i parandaloj kur ndodhin diku tjetër. Ajo që kemi në dorë është të bëjmë atë që kemi në dorë. Atë që nuk e kemi në dorë, as nuk e bëjmë dot dhe as për më tepër nuk e imponojmë dot. Është njësoj sikur një karrocë me kalë t’i thotë një treni hap krahun”, deklaroi ai.

Kryeministri foli për edhe për negociatat. Ai nuk u shfaq fort euforik në lidhje me qëndrimin e Francës, por vlerësoi vendimin e Bundestagut gjerman, pavarësisht kushteve të vendosura prej tij. Dy prej lidhen drejtpërdrejtë me realizimin e tryezës së parë ndërqeveritare, që do të hapte zyrtarisht negociatat. Rama i sheh plotësisht të realizueshme brenda këtij viti.

“Ka dy kushte që janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti, qoftë reforma zgjedhore sipas OSBE/ODIHR, qoftë plotësimi i Gjykatës Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë. Pastaj të tjerat nuk janë më në dorën tonë”, u shpreh ai.

Rama tha më shumë sesa në Tiranë, fajtori për moshapjen e negociatave duhet gjetur brenda vetës situatës në Bashkimin Europian, sidomos në Paris, ku Presidenti Macron kërkon një reformim të Unionit.

“Reforma në Bashkimin Europian nuk e ndikon as Gjykata Kushtetuese, as Gjykata e Lartë dhe as reforma zgjedhore në Shqipëri. Nuk e di cili do të jetë përfundimi nga Franca, por mirëkuptoj që Franca është një nga dy themeluesit e idesë së BE, ka të drejtën që të mendojë dhe të shohë ndryshe në raport me BE dhe përsa kohë mendon dhe sheh ndryshe ka edhe të drejtën që të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht sesa e padrejtë është kjo”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë