Ne rrjet

Rama takon Merkel pas zgjedhjeve dhe shtyrjes së negociatave

Edhe pse samiti i Parisit dështoi, kancelarja gjermane Angela Merkel duket se do të takohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në Poloni më 4 korrik, i cili është konsideruar nga mediat gjermane si vazhdimi i konferencës së Berlinit.

Në një video-deklaratë, kancelarja ka njoftuar pjesëmarrjen në konferencën e Ballkanit Perëndimor në Poznan. Ky është takimi i parë i saj me kryeministrin Edi Rama dhe Zoran Zaev pas shtyrjes së negociatave për në vjeshtë, ndërkohë që për kreun e qeverisë shqiptare pritet të jetë një takim i vështirë edhe për shkak të krizës politike në vendin tonë.

Në vizitën e tyre të fundit në Tiranë, në 12 qershor, përfaqësuesit e delegacionit gjerman ritheksuan se është Kushtetuta ajo që përcakton se kur duhet të mbaheshin zgjedhjet, por pas të dielës Ambasada Gjermane në Tiranë duket se ruajtur heshtjen.

Delegacioni i deputetëve të Bundestagu kryesohej nga Josip Juratovic, anëtar i Bundestag-ut dhe Kryetar i Grupit Parlamentar (SPD) , i cili theksoi se për Berlinin është e rëndësishme të mësojë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. “Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash. Janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Zgjedhjet përfaqësojnë konkurrencën mes partive politike. Secila parti ka të drejtën e saj për të marrë pjesë ose jo, do të jenë zgjedhësit se çfarë është bërë mirë apo keq. Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se çfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike” tha Juratovic në një konferencë.

Samiti në Poznanë duket se merr një rëndësi edhe më të madhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, pasi të gjitha palët politike janë më sytë nga ndërkombëtarët për daljen nga kriza. Ai do të jetë gjithashtu edhe një mundësi e mirë për të parë qëndrimin e kancelares gjermane ndaj hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën në qershor.

Në takimin e fundit të lidervë të Ballkanit Perëndimor dhe Merkel ishte i pranishëm edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka dalë sërish kundër anëtarësimit të rajonit në një shpërthim mediatik të hënën në Bruksel, pas dështimeve të bisedimit për zgjedhjen e presidentit të Komisionit Europian.

“Jam shumë skeptik ndaj atyre që mundohen të na thonë se e ardhmja e Europës është tek një zgjerimi i ri, kur 28 nga ne nuk mund të arrijnë një marrëveshje. Edhe njëherë, unë do të refuzoj në mënyrë strikte çdo zgjerim përpara reformimit të thellë të funksionimit të institucionit tonë, në mënyrë që të kemi një shpirt serioziteti”, deklaroi presidenti francez.
Situata e ndërlikuar erdhi pas zgjedhjeve europiane të mbajtura në maj, ku koalicionet tradicionale të qendrës humbën disa vende në parlament, duket se kanë bërë që vendet skeptike si Franca, Holanda dhe Belgjika të kundërshtojnë edhe më ashpër zgjerimin e unionit.

Pavarësisht zërave inkurajues nga disa zyrtarë të BE-së, shumica e liderëve të BE-së thonë se mund ta rihapin çështjen e zgjerimit sapo të zgjidhin problemet e brendshme. Por kjo mund të duhen vite dhe askush nuk e di me siguri nëse BE do të mbijetojë në këtë proces.
Edhe pse Strategjia e Zgjerimit e publikuar në shkurt të vitit të kaluar përhapi optimizëm në të gjithë rajonin, deklaratat e fundit që vijnë nga Franca dhe Holanda tregojnë se mbështetja e vendeve anëtare për zgjerimin e BE-së me Shkupin dhe Tiranën ka rënë.

Samiti i Poznanit vjen pasi rajoni ka përjetuar një rilindje të rrezikshme të tensioneve etnike, politike, ekonomike dhe sociale. Shenjat e këtyre tensioneve përfshijnë rritjen e armiqësive mes Serbisë dhe Kosovës dhe krizën politike në Shqipëri.

Cfarë pritet të thojë Merkel?

Sipas “DW”, që në fillim të fjalës së saj, kancelarja gjermane pritet të kujtojë lidhjet që ka Gjermania me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shumë njerëz që jetojnë në Gjermani kanë lidhje personale me vendet e Ballkanit Perëndimor, shumë njerëz nga këto vende jetojnë në Gjermani dhe ndërtojnë kështu një urë”, është shprehur Merkel gjatë video-konferëencës.Vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët tanë europianë dhe ato e kanë një perspektivë europiane, nëse i plotësojnë kushtet. Megjithëse konfliktet luftarake për fat të mirë kanë përfunduar, ka ende një numër të madh konfliktesh që duhen zgjidhur. Prandaj ne si qeveri gjermane në vitin 2014 propozuam që të ketë çdo vit një konferencë vjetore me vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të përmirësohen kontaktet për bisedime dhe mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre vendeve.”

Merkel është shprehur se një problem i madh, që diskutohet çdo vit në konferencat e rajonit janë debatet rajonale dhe zgjerimi i infrastrukturës. “BE ka vënë mjaft mjete në dispozicion”, the Merkel, “por këtu duhet të mbështesim zbatimin e projekteve të rrugëve dhe lidhjeve hekurudhore. “E dimë, se kur njerëzit janë të lidhur përmes infrastrukturës, ata e vizitojnë njëri-tjetrin më shpesh. Kemi themeluar po ashtu një rrjet bashkëpunimi të të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për punën e tyre do të raportojmë, do të flasim për bashkëpunimin shkencor, sepse edhe Akademitë e Shkencave bashkëpunojnë më ngushtë ndërkohë. Do të dëgjojmë po ashtu se ku shohin mangësi shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku duan ato më shumë bashkëpunim dhe do të shohim nga ana e Bashkimit Europian, se ku mund të bëjmë diçka për këto lutje e dëshira”, u shpreh kancelarja.

Merkel e cilëson gjendjen në Ballkan paqësore, por me mjaft tensione që duhet të tejkalohen.

“Rruga ka ende pengesa përpara edhe ka shembuj pozitivë, si zgjidhja e konfliktit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky shembull pozitiv duhet të na inkurajojë për të zgjidhur problemet ne Bosnje-Hercegovinë, por edhe mes Serbisë e Kosovës, theksoi Merkel.

 

Më Shumë