Taksa

Rama shuan sherrin Ahmetaj-Braçe: Pragu i tatimit s’ndryshon

Kryeministri Edi Rama është futur në mes të ‘sherrit’ mes ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, duke i dhënë fund debatit mbi tatimin për të ardhurat personale.

Ahmetaj propozoi së fundmi uljën e fashës mbrojtëse të pagave të vogla nga 30 mijë lek që është aktualisht në 10 mijë, ose futjen në sistem të një takse prej 1.5 për qind. Ministri e mbron idenë e tij me faktin se janë 55 për qind e të punësuarve, sipas tij, jashtë sistemit fiskal. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e shqiptarëve të punësuar kanë një pagë nën 30 mijë lek.

“Unë besoj se janë rreth 55 për qind të punësuar që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht nëpërmjet tatimit të të ardhurave personale. Besoj se mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 30 mijë ta çojmë në 10 mijë lekë, ose të fusim në sistem me 1.5 për qind taksë të gjithë të punësuarit. Unë e kam bërë një propozim dhe besoj se do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribues me një normë prej 1.5 për qind të tatimit mbi të ardhurat personale,”- tha ministri Arben Ahemtaj në Komisionin e Ekonomisë.

Por, Arben Ahmetaj u sfidua nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Ky i fundi jo vetëm që e kundërshtoi idenë, por tha se ka një dakordësi me të gjithë anëtarët e komisionit që drejton për të rritur fashën mbrojtëse në 40 mijë lek.

“Pranë Komisionit nuk ka asnjë propozim të tillë të ardhur nga Qeveria dhe unë e sfidoj ministrin që ta sjellë këtë propozim nëse e ka seriozisht. Pagat e vogla, por jo vetëm, por edhe të mesmet duhet të mbrohen edhe nga pikëpamja fiskale. Ky është mendimi im dhe do të vazhdoj ta mbroj këtë gjë”, deklaroi Braçe.

Vetë Kryeministri Edi Rama nuk ishte përfshirë në këtë debat deri mbrëmjen e së martës, kur “vulosi” me një rrugë të mesme gjithë përplasjen. "Pragu nuk ndryshon. Pagat që do taksohen do të jenë ato mbi 30 mijë lekë", deklaroi ai në intervistën e dhënë për emisionin Repolitix në Report TV.

Kundër propozimit të ministrit Ahmetaj u rreshtuan edhe ekspertët. Ata e cilësojnë lajthitje. “Duhet t’i jepet fund taksimit të krahut të punës dhe të taksohet kapitali”, mendon Zef Preçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë