Politike

Rama shmang Cakajn dhe “josh” Bushatin, e cakton si të dërguar të posaçëm në OSBE

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati caktohet si i dërguari i posaçëm në OSBE. Ky është lajmi që bëhet i ditur nëpërmjet faqes zyrtare të OSBE-së, e cila prezanton ekipin që do të mbështesë stafin e kryeministrit Edi Rama, si kryetar i radhës së presidencës së OSBE-së.  Në ekipin e Ramës prej 13 personash figurojnë tre shqiptarë Ditmir Bushati, Alba Brojka dhe Sulo Mustafaraj. Ish-kryediplomati është i dërguari i posaçëm, që do të thotë se do të jetë përfaqësuesi i Ramës në takimet që do të mungojë kryeministri.  “Për të trajtuar krizat ose për të siguruar një bashkërendim më të mirë të përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse në fusha të veçanta, Kryetari mund të emërojë përfaqësues personal ose të veçantë. Përfaqësuesit personalë kanë një mandat të qartë dhe të saktë, i cili përshkruan detyrat që pritet të ndërmarrin”, thuhet në faqen zyrtare të OSBE-së. Bushati do i duhet të përcjellë qëndrimet e drejtuesit të organizatës. Një lëvizje taktike e kryeministrit Rama, i cili josh Bushatin, njeriu që loboi fuqishëm për marrjen e presidencës së OSBE-së dhe që vendimi u shpall kur ai mbante postin e kryediplomatit. Një pas dhënies së këtij vendimi, Bushati u shkarkua nga posti i ministrit të Jashtëm. Ndërsa Rama do të propozonte fillimisht Gent Cakajn në postin e ministrit të Jashtëm, por që u refuzua nga ana e presidentit Ilir Meta, pasi cilësohej si një kandidaturë e papërshtatshme. Kjo solli më pas që Rama të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm, duke bërë vetë kryeministri të ushtronte kështu edhe detyrën e kryetarit të Radhës së OSBE-së, post që mbahet për një vit.

Por kjo lëvizje e Ramës shihet si një ndërmarrje për të zbutur disi qëndrimet “opozitare” që Bushati po mban kohët e fundit kundër qeverisë. Jo të pakta janë rastet kur deputeti socialist ka shprehur rezerva për disa nisma të qeverisë dhe më e fundit ishte ajo për paketën “Antishpifje”. Ligji u miratua nga ana e mazhorancës në bllok, por Bushati, pavarësisht thirrjes së Ramës për ta votuar ligjin më 18 dhjetor, abstenoi me votën e tij. Ish-kryediplomati do të kërkonte rishikimin e draftit, por kjo u refuzua gjatë një mbledhje të Grupit të PS-së.  Krisja e parë mes Ramës dhe Bushatit do të vihej re me rastin e zgjedhjeve në Shkodër, ku zgjedhja e Valdrin Pjetrit dhe largimi i tij si kryebashkiak solli përplasjen për kandidatët me të shkuar kriminale. Ndërsa Rama do të hakmerrej duke e hequr edhe si drejtues politik i qarkut të Shkodrës, duke nisur kështu edhe një rivalitetit mes Bushatit dhe deputetit Tom Doshi.

Image may contain: 4 people, people on stage and suit

Por lëvizja e Ramës mund të shihet edhe si ndonjë rezervë ndaj punës së Gent Cakajn, të ciline ka ngarkuar si ministër në detyrë. Edhe pse në ceremoninë e marrjes së kryesimit të OSBE-së, Cakaj do të shfaqej në krah të Ramës në çdo takim. Kjo vendimmarrje e kryeministrit për caktimin e të Bushatit si “mëkëmbës” , do t’i lërë shije të hidhur Cakajt, i cili nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie të mirë. Vetë Bushati në një deklaratë të mëparshme në komisionin Jashtëm parlamentar, do të vlerësonte me nota maksimale faktin se Rama do ta drejtonte vetë presidencën e OSBE-së, duke nënkuptuar se nuk ishte dakord që ta drejtonte ish-vartësi i tij.

Stafi i plotë

Ambasadori Heidi Grau

Përfaqësues Special i Kryetarit të OSBE-së, Zyra në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral

Ambasadori Rudolf Michalka

Përfaqësues Special i Kryesuesit të OSBE-së për Kaukazin e Jugut

Ambasadori Thomas Mayr-Harting

Përfaqësuesi Special i Kryetarit të OSBE-së për procesin e zgjidhjes së transdniestrisë

Ambasadori Andrzej Kasprzyk

Përfaqësuesi Personal i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për konfliktin e trajtuar nga Konferenca e Minsk OSBE-së

Kolonel Sulo Mustafaraj

Shef i Grupit të Planifikimit të Nivelit të Lartë

Volker Frobarth

Përfaqësues në Komisionin e Përbashkët Letonez - Rus për Pensionistët Ushtarak;

Rabbi Andrew Baker

Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të OSBE-së për Luftimin e Anti-Semitizmit

Profesor Regina Polak

Përfaqësues Personal i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për Luftimin e Racizmit, Ksenofobisë dhe Diskriminimit, duke u përqendruar edhe në Intolerancën dhe Diskriminimin ndaj të Krishterëve dhe Anëtarëve të Feve tjera

Ambasadori Mehmet Paçacı

Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të OSBE-së për Luftimin e Intolerancës dhe Diskriminimit ndaj Myslimanëve

Ambasadori Melanne Verveer

Përfaqësuesi Special i Kryesuesit të OSBE-së për Gjininë;

Paola Severino

Përfaqësues Special i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për Luftimin e Korrupsionit

Valiant Richey

Përfaqësues Special dhe Koordinator i OSBE-së për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Alba Brojka

Përfaqësues Special i Kryesuesit të OSBE-së për Rininë dhe Sigurinë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë