Lajme

Rama shkarkon Avokaten e Shtetit, Alma Hicka

Kryeministri Rama ka shkarkuar nga detyra Avokaten e Shtetit, Alma Hiçkën. Ajo është zëvendësuar nga Artur Metani.

Mësohet se propozimi është bërë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërkohë që emërimi është bërë nga kryeministri Edi Rama.

Akoma nuk dihen arsyet e kësaj lëvizjeje të kryeministrit Rama.

Hicka u emërua në këtë post më 5 nëntor të vitit 2013. Ajo ka përfaqësuar interesat e qeverisë shqiptare në disa gjyqe ndërkombëtare, ndërkohë që opozita e ka sulmuar disa herë figurën e saj si në konflikt interesi, pasi sipas PD, bashkëshorti i saj ishte avokat i CEZ, ndërkohë që Hicka përfaqësonte qeverinë shqiptare në këtë gjyq.

Artur Metani, pasardhësi i saj në këtë post, është me profesion jurist. Metani ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Edi Rama për sigurinë.

Në vitet 2004-2012, Metani ka qenë këshilltar i presidentit Alfred Moisiu dhe Bamir Topi për çështjet e drejtësisë.

Ndërkohë, menjëherë pas publikimit të lajmit për shkarkimin e Alma Hickës nga detyra e Avokates së Shtetit, vjen reagimi nga kryeministri Edi Rama. Me anë të një postimi në “Twitter”, Rama ka hedhur poshtë aludimet për shkarkimin e saj, por sipas tij Hicka u largua nga kjo detyrë me dëshirën e saj.

“Kazanët po ziejnë një broçkull për “shkarkimin” e Alma Hickës. Në fakt, Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses”, shkruan Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1057568889264050177

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë