Politike

Rama: Shezllonet ia prunë në majë të hundës popullit! Vitin tjetër do lejohen vetëm për hotelet, sipas numrit të dhomave

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshimin e rregullave në vijën bregdetare.

Rama tha se do të marrë fund koha kur një person thotë "e dua këtë plazhin për "beach bar" dhe për shezllone", duke shtuar se edhe hotelet do ta kenë të kufizuar numrin e shezlloneve në bazë të dhomave.

“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllone. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezllone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllone. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur. Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezllone e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllone për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon", u shpreh Rama në "podcastin" e tij.

Kryeministri tha se do të marrë fund edhe bllokimi i rrugës buzë detit nga subjektet private.

"Nuk mund t'i çosh shezllonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhen në plazh. Kështu do të krijojmë një fashë, atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e t'i do të tërhiqesh prapa. U krijua një volum i madh dhe pritshmëria dhe o 'burra të gjithë me shezllone'. Ata shezllonet këtë vit e bënë me sukses kryerjen e misionit të tyre të ardhjes në majë të hundës të të gjithë popullit”, vijoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë