Politike

Rama: Satelitët do të shmangin ndërtimet pa leje. Do pasohen nga dronët e armatosur

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për ndërtimet pa leje, duke nënvizuar se “beteja më e madhe dhe më e gjatë në një proces shtetndërtimi, është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si pjesë e një makinerie që nuk varet nga subjektiviteti i personave të veçantë”.

Rama tha se në një zinxhir përgjegjësish, ku hallka kryesore është ajo e drejtësisë, me gjyqtarë dhe prokurorë që kanë marrë rryshfet për të lejuar ndërtimet pa leje, përgjegjësi kanë edhe punonjësit e institucioneve që kanë marrë para gjithashtu për të mbyllur sytë para kullave që shkelin lejen e ndërtimit.

“Në terren kemi një problematikë, e cila edhe pse sot është më e lehtë, vazhdon të jetë problematikë që rëndon biznese, që është problematika e individëve, emra të përveçëm në funksion të një detyre shtetërore, për të bërë presion mbi biznesin dhe për të marrë ryshfet. Ky është fakt. Këto ngrehina janë rezultat i mosfunksionimit siç duhet të një zinxhiri kontrolli që hallkën e vet të dobët ka drejtësinë që funksionon me të dobëtit, por jo me të fortët”, tha Rama.

Megjithatë, ai theksoi se satelitët do të shërbejnë për të monitoruar të gjithë ndërtimet pa leje.

“Me satelitët nuk do ketë mundësi të ndërtohen kate pa leje. Satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës.

Ne do të krijojmë një bazë të dhënash të rëndësishme që do na japin mundësi të bëjmë shumë analiza dhe në funksion të programimit për të nesërmen. Të gjitha do t’i kemi në një pasqyrë, të vëna para nesh në mënyrë të përditësuar.

Satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët. Ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe të marrim dronë të armatosur. Natyrisht janë për raste ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial, por dronët kanë një tërësi funksionesh në përputhje me satelitët”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë