Lajme

Rama, protesta dhe akuza në Vlorë. Studenti: Si e bëre vilën në Surel?

Kryeministri Edi Rama shkoi në Vlorë për të diskutuar me studentët e Universitetit “Ismail Qemali”, lidhur me protestën dhe plotësimin e 8 pikave të kërkuara prej tyre.
Studentët e kanë pritur me protesta, duke bllokuar edhe hyrjen para Rektoratit.

Momente tensioni para nisjes së takimit të Ramës me studentët në Vlorë

Ndërsa, kryeministri Rama i ka ftuar që të futen brenda godinës për të diskutuar në sallë për tetë kërkesat e tyre. Edhe ditën e sotme në bashkëbisedim me kryeministrin ata i mëshojnë fort idesë së plotësimit të pikave. Studentët u shprehen se këto që kërkojnë janë shqetësime elementare dhe prandaj duan zgjidhje me ngulm.
“Duhet të kuptohet që ne si studentë, nuk kemi protestuar kot. Nuk jemi me partitë politike. Ne jemi dhe një pjesë e atyre që ju shikojmë juve që mund të bëjë diçka për këtë vend. Ne kemi kërkuar disa të drejta. Ne mungojmë në praktika dhe seminare sepse nuk ka ngrohje. Pedagogët nuk janë në nivelin e duhur pa bërë përgjithësime. Që të bëhet dialog duhet dhënësi mesazhi kanali dhe mesazhi dhe marrësi. Ne ju jemi dhënësi që kemi dhënë mesazhin, ju duhet thjesht të plotësoni kërkesat”, u shpreh studentja e para që mori fjalën në këtë bashkëbisedim.
Ndërkohë, një tjetër student tha se nuk ka vend për të diskutuar dhe e cilëson sjelljen e kryeministrit jokorrekte.
“Unë jam ngelës i ekselencës me mesatare 9.2. Çështja kryesore që i keni dhënë autonomi universitetit. Ne kishim 5 kërkesa dhe këto u aprovuan. Dhe fajin nuk e ka universiteti. Këtu diskutimi është dhënë, këto bëhen ose jo. Ju po silleni në mënyrë jokorrekte. Ju kërkoni dialog, sepse kur jeni në një takim ballë për ballë ju të mbushni mendjen. Mos na detyroni që këtë pëlqim që kishim ndaj jush, ta kthejmë në urrejtje. Ndaj merrni parasysh kërkesat tona”, theksoi  një student tjetër.


Pas fjalës së dy studentëve, në sallë ka pasur duartrokitje dhe një pjesë janë larguar.
Ndërkohë, kreu i qeverisë është shprehur se kjo sjellje nuk ndodh nëpër Europë. Sa i përket tarifave, kryeministri thotë që duhet të ketë një shkallëzim meritokratik.
“Vetëm në Europë nuk ndodh kjo. Tani largohuni, na lini të vazhdojmë ne me pjesën tjetër. Besoj që është e qartë që askush nuk i ka ndaluar të hyjnë dhe askush nuk është i ndaluar të rrijë. 8 pikat ju i dini, por pikat në brendinë e tyre kanë tematika të ndryshme. Një nga pikat është që të peshojë 50% vota e studentit në zgjedhjet e dekanatit, por këtë nuk e ka asnjë vend në botë, nuk mund të bëjmë eksperimente. Kjo kërkesë vjen nga një sekëlldi nga problemet e universiteteve", tha Rama.

"Ju thoni turp, ndërsa qeveria thotë hajde flasim. Por, pikat duhen diskutuar. Pika e tarifave, përgjysmimi për të gjithë, po pse për të gjithë. Njësoj është një që vjen nga një familje me ndihmë ekonomike me një tjetër që vjen nga një familje biznesmeni. Apo një që është me 9 e 10 me një me 5. Këto që po ulërasin dhe nuk pranojnë të dialogojnë duket sikur po kërkojnë komunizëm. Janë shqetësime të rëndësishme dhe elementare, por duhet të kemi shkallëzim meritokratik për tarifat. Ndërkohë, problemi është kur qeveria nuk do të flasë”, tha kryeministri.
Gjithashtu, Rama ka theksuar sërish që kjo protestë ka qenë një shuplakë për qeverinë.
“Asaj vajzës që foli doja t’i them që nuk e kam keqkuptuar, pasi kam thënë që kjo ishte një shuplakë për qeverinë dhe kjo do të thotë se e kam kuptuar më mirë se ju të gjithë”, shprehet kryeministri.

Një moment tjetër tensioni ka qenë kur kryeministri Rama debaton me një student.
Rama u kap me studentin në lidhje me telefonin e tij, duke e pyetur se si e kishte siguruar. Por i  riu iu përgjigj duke i bërë pyetje kryeministrit: “Doja përgjigje p.sh për atë vilën në Surrel; që keni deklaruar se keni një pasuri vetëm 2 mijë euro. Unë e justifikoj këtë timen, po ju a i justifikoni ato tuajat?”, shprehet studenti. 

Kaq mjaftoi që Rama t’i kthehej, ndërsa iu ‘lut’ studentit që të mos i ngjasonte ish-kryeministri Sali Berisha.

“Ke dëgjuar Saliun që unë kam deklaruar 2 mijë euro. Është një gënjeshtër. Kaq shumë akuza e shpifje i bie të merrem me këtë punë, po kam shumë më me rëndësi për të bërë. S’kam deklaruar që kam 2 mijë euro, është gënjeshtër e sajuar. Kam qenë emigrant, dhe si emigrant kam bërë edhe unë sakrificën në emigracion. Shtëpia ime jo vetëm është e deklaruar në detaj, por edhe taksat i ka të regjistruara. Të keqen vëllai mos u bëj si Saliu këtu në Vlorë. Me mua lufto sa të duash se shëndet të bëhet. E futa unë politikën meqë e fute ti. Të lutem mos u bëj si Saliu, respekto gjyshin e prindërit”, shprehet Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë