Lajme

Rama premton libra falas

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, në ambientet e Kryeministrisë kreu i qeverisë Rama ka mbajtur një takim me mësuesit në prani edhe të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. 

Kryeministri Rama prezantoi para mësuesve politikat lehtësuese për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm.

“Ne kemi zgjeruar ndjeshëm këtë sezon, targetgrupin e fëmijëve që përfitojnë libra falas. Deri dje kjo ka qenë më e vështirë, por sot kemi mundësi dhe ndaj kemi vendosur të japim libra falas për disa kategori nxënësish. Vitin tjetër librat do të jenë falas edhe për klasën e V dhe në fund të mandatit, synojmë mundësinë që për të gjithë nxënësit me arsimin e detyruar librat shkollore të jenë falas”, u shpreh Rama.

Një shqetësim që ka prekur ndjeshëm arsimin shqiptar janë fëmijët me aftësi të kufizuar. Por, për këtë kategori kryeministri shprehet se këtë sezon do të rritet numri i personelit.

“Ne tani kemi mundësinë të rritim numrin e mësuesve që punojnë me fëmijët me aftësi ndryshe, duke e bërë edhe më të lehtë punën tuaj, ashtu si edhe arsimimin e kësaj kategorie të fëmijëve”, vijoi Rama para mësuesve.

Gjithashtu, ai tregoi se mbetet i angazhuar për të reformuar sistemin arsimor, për të futur në punë vetëm mësuesit e aftë.

Ndërsa uroi mësuesit për një vit shkollor sa më pozitiv, Rama nuk ka anashkaluar edhe pagat e mësuesve.

“Uroj një vit me sa më shumë sodisfaksione dhe pozitiv. Nuk e kemi harruar, që edhe pse janë rritur rrogat tuaja kanë nevojë për më shumë rritje. Por çdo gjë sipas mundësive”, përfundoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë