Politike

Rama: Politika nuk lufton koronavirusin. Basha: Të izolohet propaganda

Kryeministri Edi Rama akuzon rivalët e tij në politikë se po përdorin koronavirusin për të përhapur panik, për të shkaktuar kaos, rrëmujë e dëshpërim.

“Në krye të të tërë delenxhinjve e parazitëve që lëshohen mbi publikun në nevojë për informacion, kanë dalë përsëri, si gjithnjë, politikanët e së keqes që duan kaos, rrëmujë, dëshpërim, në përpjekjen e dëshpëruar për të kthyer të shkuarën që i ka marrë me vete përgjithnjë!”, shkroi Kryeministri në rrjetet sociale.

Rama thotë se politika nuk mund të luftojë koronavirusin dhe garanton se autoritetet shqiptare janë të përgatitur në bashkëpunim dhe sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik!Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit”, shkruan Kryeministri.

Rama shënjestron edhe mediat.

“Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose emergjencë shëndetësore që shfaqet,duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca, ligësia, dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.

Basha: Të izolohet propaganda

Partia Demokratike kërkon nga Qeveria që të ndalë propagandën dhe të ndërmarrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lulzim Basha iu përgjigj Edi Ramës, mbi deklaratat se opozita dhe kundërshtarët e tij politikë po e përdorin koronavirusin për qëllime politike.

“Këto masa nuk mund të jenë shoë televiziv, por kontrolle të plota në të gjitha pikat hyrëse në Shqipëri. Është urgjent hartimi dhe shpallja e planit të masave dhe informimi i qytetarëve si duhet të veprojnë në rast të dyshimit se janë të prekur nga corona virus. Ndërkohë që Shqipëria ndodhet përballë rrezikut potencial të prekjes nga corona virus, mijëra bashkëqytetarë ndodhen në kushte të mjerueshme për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Në mungesë të një strehe ata jetojnë ende në çadra ose janë rikthyer në banesat e dëmtuara, në kushte aspak të favorshme higjenosanitare dhe me mungesa të theksuar në ushqime”, tha Basha.

Basha e cilëson neglizhencë kriminale që nuk janë marrë ende masë për banorët e goditur nga tërmeti që jetojnë ende në çadra, si një prej grupeve të shoqërisë që mund të preken më fort nga koronavirusi.

“Duhen marrë masa urgjente për strehimin apo sigurimin e kontenierëve për banorët që jetojnë në çadra, çka ka sjellë dhe gjendje të rënduar shëndetësore dhe kushte aspak të përshtatshme higjeno-sanitare për ta. Njerëzit janë të shqetësuar me të drejtë, ndaj është koha që të flasin mjekët dhe të izolohet propaganda”, thotë kreu i PD.

Basha shprehu bindjen se personeli mjekësor nuk mungon që Shqipëria të përballojë këtë situatë, por thotë se ata kërkojnë kushte.

“Detyra e qeverisë është të sigurojë këto kushte dhe jo të bëjë shoë dhe propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet”, mbyll reagimin e tij kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë