Arsim

Rama përballet me studentët: Ulja e tarifave, sakrificë e të tjerëve!

Kryeministri Edi Rama është përballur mbrëmjen e djeshme me disa studentë protestues në studion e emisionit “Top show”.

Pas një leximi të shpejtë të 8 pikave të kërkesave të studentëve, kryeministri Rama tha se janë të gjitha pika të diskutueshme, por problemi qëndron te mënyra sesi zgjidhet secila prej tyre dhe sesa kohë duhet për të zgjidhur secilën prej tyre.

“Dua të falënderoj të gjithë studentët që janë këtu, edhe pse kanë pasur dilema të mëdha nëse duhej të vinin apo jo. Ndoshta do të përballen me presione se përse shkuan apo pse u ndanë, por tashmë del në pah se protesta ka pasur 3 komponentë të strukturuar dhe ai i katërti, i studentëve me halle familjare dhe financiare. Nga 3 komponentët me agjenda të caktuara, dy janë PD-ja dhe LSI-ja, me opozitën që ka kërcënuar se do të bëjë gjithçka për të rrëzuar qeverinë. Komponenti i tretë është Lëvizja për Universitetin, që nuk është lëvizje politike, por një grupim marksistësh që nuk e njohin Marksin. Jam i bindur se studentët i kanë këto probleme, patjetër, por kanë neveri ndaj politikës dhe nuk duan të vijnë deri këtu. Problemet dhe studentët janë njëra anë, ajo që më intereson mua. Strukturat e tjera, mua nuk më interesojnë”, tha Rama.

Gjatë debatit, kreu i qeverisë ka këmbëngulur edhe një herë se kërkesat e studentëve janë të arsyeshme për t’u dëgjuar, por se është e nevojshme që të dialogohet për t’i zgjidhur.
“Gjërat që duhen bërë kërkojnë një diskutim. Pse u është bërë presion e trysni atyre studentëve, atyre që s’janë në kontrollin e partive, s’ka negociata e s’ka negociata… Qeveria nuk është një magazinë, që ti çon letër porosi me postë dhe pret që nga dyqani të të çojë pakon, jo, kjo kërkon një diskutim. Jo vetëm këto pika, por ky moment që është shumë i rëndësishëm, që ata që e provokuan, është një terren që s’duhet lëshuar, se studentët duhet të marrin fatin e tyre në dorë”.

Kryeministri më pas foli për tarifat e studentëve dhe premtoi se se do të bëjë një transformim rrënjësor sa i takon atyre.

“Tarifat për studentët janë një pjesë e kostos së çdo studenti. Qeveria financon 75% të kostos së çdo studenti, mesatarisht. Te pika e tarifave ata kanë shumë të drejtë, VKM-ja ka dalë në maj, si rezultat i kërkesës unanime të universiteteve, - vijoi Rama. – Lindita Nikolla mund të ketë shumë të meta, por ka një virtyt që gjithçka ka sjellë në qeveri për miratim, e ka këshilluar me rektorët. Te tarifat, jam gati të bëjë një transformim drastik, pika e tarifave që e kanë vendosur rektorët, jam gati ti bëjë një shndërrim rrënjësor, se kjo ishte edhe zanafilla që u ngrit dhe protesta”.

Rama shpjegoi se është gati të bëjë më shumë se kaq, por ”unë nuk dua që kjo gjë të mbarojë me kaq, që do të thotë se aty ka disa pika që unë mund të them se s’kam lidhje me to”.

Tavani i vendosur nga qeveria shtoi Rama, “u bë, sepse të gjitha tarifat e universiteteve ishin më të larta, ndaj qeveria vendosi që këtu duhet një tavan që qeveria të paguajë për ju kostot më të mëdha”.

Pyetjes së një studenteje se kjo nuk është hera e parë që protestohet, Rama iu përgjigj: “Arsim falas për të gjithë në Shqipërinë nuk ka. Ulja e tarifave është sakrificë e të tjerëve, e dini sa taksohet puna në Shqipëri, sa taksa paguajnë njerëzit që punojnë? – pyeti Rama. - 5.5%, ndërsa në Gjermani 40%. Në Shqipëri rrogat janë të ulëta, taksat janë shumë të ulëta, nga dalin të gjitha paratë për të bërë gjëra siç duam. Unë jam dakord që të bëhet një gjë e diskutuar për këto pika”.

Mes të tjerash, Rama iu tha studentëve se është gati që “të gjithë anëtarët e bordeve të administrimit duhet të shkarkohen. Nuk e kam bërë më parë se nuk jam dhe aq i zoti dhe për mos ishit ngritur ju në këmbë…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë