Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pa vullnetin e Partisë Socialiste, sipas tij, nuk do të ndodhte që drejtësia të pavarësohej nga pushteti politik dhe të veprojë pavarësisht krahut politik.
Rama iu përgjigj drejtpërdrejt komentuesve në rrjetet sociale, lidhur me Reformën në Drejtësi.
“Për sa i përket drejtësisë kam shumë për të thënë, sepse ka një diskutim të vazhdueshëm dhe të pakuptueshëm për mua. ‘U fut ky e ai në burg’ dhe këto faturohen si faje, përgjegjësi apo e metë e PS-së. Por pa PS, vullnetin tonë, kurrën e kurrës nuk do të ndodhte kjo që po ndodh, që drejtësia të pavarësohet nga pushteti politik dhe të veprojë pavarësisht se cilës anë i përket njëri dhe tjetri,” tha Rama.
Rama tha se nuk ka ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar që të ketë një person të vetëm të lidhur me pushtetin politik që të jetë vendosur para një drejtësie të pavarur.
“Nuk po flasim për Fatos Nanon, i cili u dënua jo nga një gjykatë e pavarur, por nga një gjykatë politike. Po flasim për institucione të pavarësuara. Kjo është një arritje historike e PS-së dhe vetëm për këtë nuk duhet të diskutohet fare. Këtu në Shqipëri ka vetëm një parti që lufton përditë për të bërë shtet. Në rastin e PS-së është kolektiviteti më i madh politik i shqiptarëve, po si çdo pyll që ka derrat e vetë, edhe PS ka në këtë proces njerëz që, për fat të keq, i përkasin drejtësisë dhe nuk i përkasin më rrugës së PS-së,” tha Rama.
Por, sipas tij, sot nuk ka më shumë korrupsion. Nëse do të ishte e kundërta, sipas Ramës, Shqipëria nuk do të ishte në tryezën e negociatave në BE, për t’u anëtarësuar në BE.
“Nuk të pranon njeri për të negociuar nëse ke më shumë korrupsion. Parametri i luftës kundër korrupsionit është një nga kriteret kryesore. Po të kishte, Shqipëria nuk do të ishte para në rajon me 80 pikë, ndjekur në diferencë nga vendi i dytë me 71 pikë për prokurimet publike. Për tenderat, transprencën dhe eficiencën në organizimin e tenderave Shqipëria është e para. Nuk diskutohet se korrupsioni është një problem që duhet adresuar, por krahasimet nuk vlejnë,” tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.