Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Kryepeshkopi Anastas Janullatos i ka dhënë fund të gjitha hipotezave me amanetin e tij që pasardhësi i tij duhet të jetë një shqiptar.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me komentuesit në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama iu përgjigj komentit të një qytetari, i cili shprehet se “Janullatosi e rrëmbeu kishën ortodokse shqiptare, është momenti të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar”.
Kryeministri shtoi se amaneti i tij publik në shtypin grek pak kohë para se të ndahej nga jeta, i ka mbyllur të gjitha gojët dhe nuk ka lënë shteg për askënd për të ngritur hipoteza për rolin, figurën, bilancin historik të qëndrimit të tij në krye të Kishës Autoqefale.
“Kur ka thënë se ‘ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ngritur një koloni, por një kishë autoqefale’, dhe njësoj siç ne grekët nuk e parafytyrojmë dot në Greqi një kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të parafytyrohet në Shqipëri dikush tjetër një kryepeshkop tjetër përveç shqiptar”.
Në momentin e ardhjes së tij, ishte e pashmangshme vendosja e një kryepeshkopi jo shqiptar, për shkak se ne nuk e kishim mundësinë që të vendosnim një kryepeshkop shqiptar”.
Në lidhje me komentet për ceremoninë dhe shpenzimet në funeralin e Kryepeshkopit Anastas, Kryeministri Rama u përgjigj: “Nuk besoj se e ngrëna në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës është problemi dhe pastaj të vdekurit për bukë, e kam thënë, se asnjë shqiptar nuk ka vdekur për bukë. Këtu jemi tek standarde krejt të tjera. Flitet për shpenzime në funeralin e kryepeshkopit, ku nuk e di se çfarë shpenzimesh kishte përveç arkivolit të të ndjerit. Nuk e di si mundet të bihet pre e këtij llumi të kanaleve, të portaleve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.