Politike

Rama: Opozita? Minoi negociatat me mandatet… Grup kriminal “Kap Ça T’kapësh” në drejtësi

Kur dukej se do të ishte një seancë e qetë e Parlamentit, i mbledhur këtë mërkurë dhe jo të enjten tradicionale, për shkak të mbledhjes së Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të diskutuar në Parlament përpara votimit të projektligjeve për diskutuar rreth asaj që debatohet në Parlamentin e Holandës dhe për reformën në drejtësi.
Me tone të forta kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se ka bërë çdo përpjekje për të mos çelur negociatat me Bashkimin Europian. Duke komentuar diskutimet e zhvilluara një ditë më parë, ai tha se debati nuk ka të bëjë fare me ato çfarë ka arritur Shqipëria, por se është vetëm një debat i brendshëm politik.

Kryeministri Edi Rama me atlete në seancën e sotme. Gazeta Si 9 tetor 2019


“Ata që mendojnë se ndarja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në diskutime, do të çojë në një ndarje edhe në vendimin e përgjithshëm, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se mes Shqipërisë dhe Maqedonisë kishte vetëm një ndryshim, sjellja e opozitave në të dy shtetet që kërkojnë nisjen e bisedimeve për anëtarësim. “Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, opozita që braktisi parlamentin, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet vetëm për të minuar çeljen e negociatave”, tha Rama. Ai shtoi se "Maqedonia e Veriut është një vend ku konflikti politik, për arsye krejt të ndryshme, ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që nuk është këtu, e cila në mënyrë naive ka besuar se duke kopjuar opozitën e deridjeshme të Maqedonisë së Veriut, do të arrinte të bllokonte procesin".

Rama duke folur në Parlament, i drejtohet me gisht tregues opozitës. Gazeta Si, 9 tetor 2019

Shefi i qeverisë gjatë fjalës së tij mbi një orë, akuzoi se eksponentë të opozitës joparlamentare kanë dërguar raporte apo kanë pasur kanale komunikimi vetëm për të nxirë vendin. “Nuk e di nëse Holanda apo Gjermani të kenë dëgjuar emra fshatrash si në Maqedoni, siç kanë dëgjuar për Shqipërinë si Dibra apo Kavaja për të furnizuar grupe të caktuara që kanë, kundër zgjerimit të BE-së”, theksoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/562788377795870/?t=5


KÇK-, term i ri kundër reformës drejtësi: Kap ça të kapësh
Pjesa e dytë e fjalimit të Ramës u përqendrua padyshim te reforma në drejtësi dhe te prokurorët e gjyqtarët që sipas tij janë të paprekshëm. Ai u përqendrua konkretisht te rasti i prokurorit të Durrësit, ndërsa nënvizoi se drejtori i Hipotekës po dënohet se doli kundër bandave. Rama i cilësoi këta persona me inicialet “KÇK”, që nënkuptonte “Kap Ça të Kapësh”. Sipas kryeministrit, “KÇK” duhet të shpallet në kërkim nga Parlamenti, ndërsa deputetët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre dhe jo të presin përfundimin e vettingut. “Këtë grupin "KÇK", ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim. Duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kotë t’i bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi të fajësojmë qeverinë dhe nga tryeza e qeverisë të justifikohemi. Procesi i Vettingut do të vazhdojë për disa vjet, por ne nuk duhet të lejojmë që prokurorë dhe gjyqtarë si ata të Durrësit të vazhdojnë të bëjnë kërdinë çdo ditë”, theksoi Rama.

Deputetët Myslim Murrizi dhe Sadri Abazi në Parlament. Gazeta Si 9 tetor 2019


Kryeministri theksoi se "shpallja në kërkim e KÇK është objektiv që duhet të kemi si Parlament dhe duhet të miratohet ndonjë ligj special, duke mos pritur pafund mbylljen e procesit të Vettignut". “Nuk ka asgjë që na justifikon përpara njerëzve. Nuk mjafton më t’u themi “reforma”. Ajo kërkon kohë dhe gjatë kësaj kohe janë çdo ditë viktima në katër anët e Shqipërisë të kësaj organizate kriminale “KÇK”. Ne bashkërisht, si Qeveri dhe opozitë, si përfaqësues të këtyre viktimave në Parlament, t’u japim mesazhin me ligj që janë në kërkim. Kush na pengon? Holanda apo Franca? Është grupi më i madh kriminal në Shqipëri, me fakte. Prokurorë dhe gjykatës që e dinë që Vettingun nuk e kalojnë dot”, theksoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2121629291477916/?t=3


Ftesës për reformat në drejtësi dhe miratimin e reformës zgjedhore, opozita iu kundëpërgjigj me idenë e realizimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Myslim Murrizi, deputet i opozitës, gjatë replikës ndaj qëndrimeve të kryeministrit, u shpreh se Gjermani ka vënë dy kushte. “Kap hajdutët në qeveri dhe reformë zgjedhore ka kërkuar Bundestagu, nuk ka thënë KÇK, e cila është sindikata më e madhe, është aleanca më e madhe që me 800 gjyqtarë e prokurorë; ka edhe në këtë sallë anëtarë të KÇK, kanë edhe te PPP anëtarë KÇK-ja”, replikoi Murrizi. Ai u shpreh se ligjet e reformës në drejtësi u votuan në korrik dhe se nuk ka nevojë për ligje të tjera vettingu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë