Politike

Rama niset në SHBA: Do të takohem me Trump. Vasili: Ia mbathi, iku

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ka paralajmëruar udhëtimin drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së. “Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Duke e ndërprerë udhëtimin dy ditë më parë dhe duke u kthyer me urgjencë në Tiranë, unë as do të parandaloja ndonjë tërmet e as do të bëja ndonjë çudi që pa mua nuk bëhej dot. Por plotësova boshllëkun e një mungese, e cila në planin njerëzor do të ishte e pajustifikueshme në raportin e zemrës me njerëzit që më kanë besuar detyrën e lartë. Tanimë është momenti, që secili të jetë aty ku është më i vlefshëm gjatë ditës së saponisur dhe teknologjia, vërtetë s’na ka dhënë ende asnjë shans të parashikojmë tërmetet, por na ka dhënë mundësinë fantastike që edhe mijëra kilometra lart në ajër apo matanë oqeanit, të jemi vetëm një klik larg zyrave ku drejtohen punët e vendit”, shkruan kryeministri në një postim të gjatë në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157009549886523


E ndërsa thekson se zyra e ka marrë me vete, duke nënkuptuar komunikimin online. “Kështu që nga zyra ime online në mrrokllën e zezë, për momentin në aeroportin e Stambollit, ku sapo po nisem për Nju Jork, pasi erdha mbrëmë vonë me Air Albania-n, po ju le këtu këtë shënim përpara “Mirëmëngjesit” tradicional të orës 08.00”, thekson Rama.
Duke iu rikthyer situatës së krijuar pas rënies së tërmetit, kryeministri shkruan se janë mobilizuar të gjitha strukturat e shtetit dhe se “dëmet janë minimale dhe pa lidhje me panikun maksimal që krijoi goditja dhe ushqeu më pas, papërgjegjshmëria haluçinante e një sërë burimesh (diz)informacioni”. “Jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fake News kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht, për arsyet e panjerëzishme të Mosarsyes”, shkruan kryeministri.

Lajmi për udhëtimin drejt SHBA-ve ka sjellë edhe reagimin e opozitës. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili e ka cilësuar këtë si një braktisje të detyrës. “Dje në darkë në ora 22.30, pas një "vizite", sa për të shpëlarë gojën, prej rreth 20 orësh në Shqipëri, Edi Rama braktis vendin. Edi Rama largohet ne kulmin e emergjencës civile që shkaktoi tërmeti 7.5 ballë Për shkak të një katastrofe të tillë janë më të shqetësuar për Shqipërinë liderët europianë se sa Edi Rama vetë. Në vend të shpallte Emergjencën civile dhe të qëndronte në krye të situatës Edi Rama beri show lart e poshtë në ERTV dhe të gjithë mediat pa dinjitet që pranojnë të transmetojnë me siglën erëqelbur të tij. Turp të tille Shqipëria nuk ka parë dhe nuk ka për të parë. Edi Rama iku, iku dhe la vendin në baltë në momentin më të rëndë,e la Shqipërinë në duart e shtetit të shkatërruar dhe të paaftë që u ka lënë shqiptarëve në kurriz”, shkruan Vasili.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë