Politike

Rama: Negociata me ndërtuesit për blerjen e apartamenteve stok

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish qeverinë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku në fokus është faza e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Kreu i qeverisë tha se puna për rindërtimin e lagjeve të reja duhet të nisë shumë shpejt, po ashtu edhe verifikimi i tokave ku ato do të ndërtohen.
Rama ndër të tjera sulmoi edhe atë që ai e quan grupi ‘KÇK’, ‘Kap Ça të kapësh’, ndërsa theksoi se pavarësisht faktit që ajo mund të jetë tokë shtetërore, mund të ketë raste që mund të jetë grabitur.
"Të përfshihet enti i banesave në procesin e rindërtimit i lidhur me fondin. Drejtuesi i Entit duhet të vihet në dispozicion të programit. Duhet të integrohet në programin e rindërtimit. Koha është e ngushtë, kështu që në 19 duhet të kalojmë ligjin e posaçëm. Duhet përgatitur për parlamentin dhe një kërkesë për shtyrjen e periudhës së emergjencës, në mënyrë që të kemi një fokus të detyrueshëm për të gjitha institucionet. Duhet të përgatiten të dhënat se ku do të ndërtohet. I jemi referuar pronës tokë-shtet, por KÇK ka bërë të veten, në kohën kur kemi bërë punë të tjera në gjithë këtë kohë dhe duhet verifikuar në hipotekë çdo pronë. Që mos të gjendemi me surpriza, kur të shohim që është tokë e cenuar dhe e kafshuar nga KÇK. Raporti duhet të jetë gati javën që vjen”, tha Rama.
Po ashtu, Rama tha se do të bëhet thirrja për të gjithë ata që kanë apartamente stok.
“Është e rëndësishme të bëjmë një thirrje për të gjithë ata që kanë stok. Por shitësit duhet të dinë se nuk është rasti të shitet me çmim të lartë pasi nuk është rasti të blejmë për të fituar. Në momentin që flasim kemi 103 grupe inspektimi në terren dhe një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të huaj. Janë shembur 33 objekte dhe 5 janë në proces. 105 objekte janë të futura në zonën e rrezikut. Këtu duhen angazhuar forca policie për të prishur këto banesa pasi nuk mund ta zgjasim këtë histori”, tha ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë