Lajme

Rama në Vlorë: Aeroporti do punësojë mijëra njerëz

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para qytetarëve në Vlorë ku ka prezantuar projektet për këtë qark është ndalur tek aeroporti i ri si një projekt që do të punësojë mijëra njerëz.

Rama tha se të paktën nga ky projekt do të punësohen rreth 1 mijë njerëz. Kryeministri theksoi kërkesën që ka tregu për forcë pune të kualifikuar. Rama tha se tarifat e aeroportit në Vlorë do të jenë më konkurrueset në rajon, pasi kjo ka qenë kërkesa kryesore e qeverisë shqiptare.

"Kemi një gropë boshllëku 20 e kusur vite. Iu thanë shkoni në këto universitete, bëhuni juristë. Pashë të dhënat e shkollës industriale, shumica e atyre që përfundojnë shkollën punësohen. Kërkohen forca të kualifikuara në të gjitha nivelet. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës nga investitorët e mëdhenj. Duan të investojnë në Shqipëri, për të përfituar nga lehtësirat. Shqipëria është kthyer në destinacion. Duam t’u përgjigjemi kërkesave me forca të kualifikuara pune në të gjithë zinxhirin. Që prej kohës kur kanë nisur të bëhen fushata, të gjithë kanë ardhur këtu dhe kanë thënë ‘Do bëjmë aeroportin’, aq sa u kthyen në barcaletë. Aeroporti në vetvete kërkon mbi 1 mijë forca punë në tërësi zanatesh dhe kualifikimesh. Aeroporti do të jetë me paga goxha të larta në raport me mesataren sepse ka një zinxhir shërbimesh. Kërkohen njerëz të kualifikuar të cilët paguhen mirë. Nëse do 1 mijë të punësuar, raportin nga ndikimi që do të ketë ky projekt do të jetë 1 me 27. 27 mijë të punësuar është minimum, drejtpërdrejtë. Shumë e shumë investime të tjera, rreth e rrotull këtij territori. Aeroporti i Vlorës do jetë konkurrues drejtpërdrejt me Rinasin, nga pikëpamja e parametrave do të jetë cilësor, ndërsa nga çmimet do të jetë shumë më i favorshëm. Ne kemi kërkuar të negociojmë që të kemi aeroportin e Vlorës me tarifat më të ulëta në rajon. Mos harroni se janë 1600 persona që lëvizin çdo ditë për të ikur në Athinë. Imagjinoni sa lirë do të jetë", deklaroi Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë