Kryeministri Edi Rama nisi vizitën e parë në Ukrainë si pjesë e misionit të OSBE-së. I shoqëruar nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, Rama preferoi ta përshkonte në këmbë rrugën drejt ministrisë së Jashtme, ku pritej të takohej me ministrin Vadym Prystaiko. Në fokus të misionit të Ramës si kryetari i radhës së Misionit të OSBE-së, është kriza mes Ukrainës dhe Rusisë. OSBE dërgon prej vitesh njerëzit e saj për të monitoruar zonën e konfliktit me separatistët që mbështeten nga rusët.
Në Kiev Rama takon Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk dhe kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov.
Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral. Kryeministri Rama pati deklaruar se veç Kievit, ai do të kishte dhe një vizitë zyrtare në Moskë, duke u takuar me autoritetet e larta ruse, përfshirë edhe presidentin Vladimir Putin.
Rama tregon objektivin e OSBE-së
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramës dhe kryediplomatit ukrainas, kryeministri shqiptar bëri të qartë synimet e tij në lidhje me zgjidhjen e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe rajonit të prekur në Krime. Kryeministri theksoi se nuk është rastësi që vizitën e parë e zhvilloi në Ukrainë në krye të OSBE-së për të treguar rëndësinë dhe përkushtimin për zgjidhjen e krizës. “Do të bëjmë maksimumin dhe do të inkurajojmë fort zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh të kontaktit. Ndërkohë që marrëveshjet, formatet po diskutohen dhe duke qenë se shumë kohë e ndoshta do të kërkohet, ajo çka mbetet thelbësore mbetet jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjithë ata përballin duke jetuar në zonat e prekura nga konflikti. Aty është ku ne do të punojmë pa reshtur duke bërë gjithçka, pasi garantimi i ndalimit të të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje. Konflikti vijon të prodhojë viktima civile dhe kjo është e papranueshme. Kjo duhet të ndalet. Synimi ynë është që të sigurojmë armëpushim të plotë. Rruga është e gjatë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe unë jam këtu për t'iu thënë se përfaqësuesi im i posaçëm në Ukrainë do të eksplorojë mënyrën si të ecë sa më mirë ky proces”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se në Ukrainën Lindore do ta shohë personalisht situatën dhe ndikimin praktik në terren të misionit të monitorimit. “Nuk jemi këtu për të premtuar ndonjë mrekulli, por e dimë se ka diçka që ne mund ta bëjmë më mirë se të tjerët, për të ndihmuar që të lehtësojmë sa shumë të jetë e mundur jetët e atyre që janë të pafajshëm" tha ai.
Nesër kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti. Ministri i Jashtëm ukrainas, Vadym Prystaiko u shpreh për zgjatje të mandatit të misionit të monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, shtim të fondeve dhe të burimeve njerëzore. Në fund kur nuk kishte pyetje të shumta, Rama e mbylli me një batutë: shpresoj që të atje në vendin tim të më thonë se unë nuk dua t’i përgjigjem pyetjeve në Kiev.
Në dhjetor të vitit të shkuar në Paris pati një takim mes dy presidentëve Putin dhe Zelenskiy. Në takimin e tyre të parë ballë për ballë, Putin dhe Zelenskiy ranë dakord për të shkëmbyer të burgosurit dhe u zotuan për të siguruar një armëpushim afatgjatë në mes të trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në konfliktin që ka lënë më shumë se 13,000 persona të vdekur dhe ka shkatërruar lindjen e Ukrainës. Megjithatë ata nuk kanë shënuar përparim në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në zonat e kontrolluara nga separatistët. Ndërsa ky takim është cilësuar si një tradhti nga ukrainasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.