Biznes

Rama në hapjen e punimeve për Aeroportin e Vlorës:Do të bashkëpunojmë me atë të Mynih-ut

Kryeministri i vendit, Edi Rama njoftoi të dielën e 28 nëntorit nisjen e punimeve për Aeroportin e Vlorës dhe aleancën me Aeroportin e Mynihut, për menaxhimin dhe koordinimin e strukturës.

Rama tregoi se ky projekt u nis dhe u pengua disa herë për arsye objektive që nuk kishin lidhje me qeverinë apo kompaninë, por pandemia u fut në mes dhe më shumë se çdo sektor tjetër, goditi sektorin e aviacionit.

Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale u kthye në mirësi sepse sot jemi këtu dhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përfaqësuesit janë këtu me ne, kanë nisur ta shoqërojnë projektin e zbatimit që në hapat e parë dhe të gatshëm për të marrë operimin e aeroportit të Vlorës”, -tha Rama.

Ai theksoi se është fantastike që aeroporti i Mynihut vjen në Vlorë si një forcë operacionale e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë, por garanton dhe sinergjinë me struktura të tjera, me aeroporte të tjera.

Pas ceremonisë së përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit, Rama mbërriti në aerodromin e vjetër të Vlorës, ku do të ngrihet aeroporti i ri.

Në ceremoni ishte i pranishëm dhe biznesmeni Behxhet Pacolli, kreu i kompanisë fituese për ndërtimin e aeroportit.

Rama e mbylli fjalimin e tij duke përmendur rëndësinë e një aeroporti për ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

"Ata që kanë avazin, popullsi s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet, duhet t’ia them se çështja e bukës është çështje që shqiptarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem, Por aeroportet janë fabrika buke sepse rrisin të ardhurat e vendit. Sjellin konsumatorë në vend. Sa më shumë njerëz vijnë, aq më shumë vendi ka mundësi të rrisë shërbimet. Sa më shumë rrit shërbimet, aq më shumë rrit prodhimet. Turistët që vijnë janë konsumatorë.

Nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte, porte sepse të gjitha këto janë motorë të ekonomisë. Rrisin fuqinë motorike të ekonomisë sonë. Me fillimin e kësaj pune dhe fillimin në Sarandë, vendosim një sistem të ri motorësh për ekonominë."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë