Kryeministri Rama premtoi zgjidhje për rrëshqitjen e dherave që rrezikon banesat në Gjirokastër. Pas mbledhjes së qeverisë në Gjirokastër Rama u shpreh: “Projekti është studiuar nga qeveria. Ne jemi angazhuar ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë problem në atë pikë të qytetit, i cili është një shqetësim real për ata banorë”.
Pas reshjeve të shumta në fillim të vitit, banorët e tri lagjeve në Gjirokastër jetojnë në rrezik për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Kryeministri Rama foli edhe për investimet në këtë qytet. “Faza e parë e projektit për transformimin e të gjithë qytetit është mbyllur. Po përgatitemi për të filluar fazën e dytë, e cila është gati, por është rënë dakord që punimet të fillojnë në shtator për të mos penguar turizmin”- tha Rama.
Kryeministri foli edhe për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, pasi më herët publikoi projektin e ndërtimit të saj, duke e cilësuar si një ndërtim strategjik. Kreu i qeverisë njoftoi se së shpejti do të fillojë ndërtimi i “bypass”-it të Tepelenës dhe një sërë projektesh të tjera.
“Ndërhyrje të rëndësishme në ujësjellësa, si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për 300 qendra shëndetësore, të cilat do të transformohen rrënjësisht dhe 52 shkolla që nisin rindërtimin muajin e ardhshëm, ku dhe Gjirokastra ka pjesë. Do të rindërtohet shkolla profesionale. Gjirokastra si qark është edhe pjesë e programit të fshatrave, me 13 fshatra të përzgjedhura për të nxitur turizmin”- u shpreh Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.