Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi se në fund të vitit të ardhshëm, prokurimet publike do të realizohen me anë të përdorimit të inteligjencës artificiale.
Sipas tij ky do të jetë modeli i parë në Europë pa kontakt me njerëz në 95% të procesit, ndërsa theksoi se sot Shqipëria është kryesuese në rajon sa i takon cilësisë së prokurimeve.
“Nisëm nga një vend shumë i zymtë sa i takon cilësisë së prokurimeve ndërkohë sot jemi kryesues në rajon me 80 nga 100 pikë, vendi i dytë është me 70 pikë për cilësinë dhe integritetin e prokurimeve. Jemi ambiciozë, po punojmë me Microsoft të prokurimit me inteligjencë artificiale 360 gradë që do të jetë modeli i parë në Europë pa kontakt njerëz në 95% të procesit. Shpresoj në fund të vitit tjetër të jetë gati për të funksionuar dhe pastaj askush nuk mund të na thotë që kemi probleme me prokurimet se mund t’i sfidojmë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se vendi ynë ka krijuar një platformë, e cila ka hequr të gjitha zyrat e pritjes dhe kontaktit me qytetarët, duke shmangur pritjen dhe bakshishet për të marrë një dokument.
“Rrugëtimi ynë zë fill nga zero kapacitete, sot kemi krijuar një platformë e cila ka hequr të gjitha zyrat e pritjes dhe kontaktit me qytetarët. Nuk kanë pse rrinë në radhe dhe të humbasin kohë energji dhe bakshish për të marrë një leje licence apo një dokument që vërteton që janë gjallë, gjithçka është në internet. Numri i përdoruesve shkon përtej numrit të banorëve, të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë mund të marrin shërbime nga administrata për qëllime të marrjes së dokumenteve”, u shpreh kryeminsitri.
Inteligjenca Artificiale, sipas Ramës ka ndikuar edhe në ecjen përpara në procesin e integrimit, ku sipas tij ka ndikuar në përshtatjen e kuadrit ligjor me atë të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.