Nga Gazeta ‘Si’- Kur kanë mbetur edhe 60 ditë nga zgjedhjet e 11 majit dhe në prag të zyrtarizimit të listës së kandidatëve në këto zgjedhje, kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë e Kavajës dhe të Vorës.
Ai theksoi rëndësinë gjeopolitike të këtyre zgjedhjeve dhe ka kërkuar që të merret çdo votë për Partinë Socialiste për të bërë realitet ëndrrën europiane. Rama bëri të ditur se kur të hyjmë në BE, Shqipëria do të marrë 1 miliard euro çdo vit dhe shqiptarët do të jenë të barabartë me europianët.
“Sot janë krijuar kushtet që ne të hymë në BE si rrjedhojë e përputhjes së rrethanave tona me ato të BE-së dhe për herë të parë mundësia për tu bërë pjesë e BE është reale. Kemi një kalendar për negociatat që është kalendari më i shpejtë që na është dhënë për të mbyllur negociatat në 2027 dhe të hymë e të bëhemi anëtarë të BE.
Kjo do të thotë që Shqipëria të kalojë në nivel tjetër, duke filluar nga individi e pasaporta e Shqipërisë e cila nuk do të jetë më ajo që është si mundësi për të lëvizur, por pa mundësinë për të qëndruar e pa marrë rimbursime shëndetësore si të jesh në vendin tënd, ne hymë dhe bëhemi pjesë e barabartë e asaj familjeje. Secili flet gjuhën e vet, por na bashkon legjislacioni ku edhe buxheti i vendit tonë do të marrë një rritje të fuqishme nga mbështetja e BE”, tha Rama.
Por kjo sipas Ramës “mund të mos ndodhë nëse në 11 maj Shqipëria nuk voton fuqishëm PS-në dhe për të vazhduar një proces që nuk është fjalë goje, por punë e përditshme me detyra të pafundme.”
Kryesocialisti iu bëri thirrje qytetarëve që “mos lihet pasaporta e BE-së për Kujtim Gjuzin apo për tifozllëk të Partisë Demokratike.”
“Nuk do të jetë më Republika e Shqipërisë por do të jetë Bashkimi Europian republika e Shqipërisë. Nuk do ketë më radhë për të na kontrolluar pasaportat. Do hyjmë njësoj me francezë, gjermanë, italianë, të barabartë. Si mund të lihet kjo tani për tifozllëk, jo jam me PD, jo jam me Kujtim Gjuzin. Kujtimi është më i miri atje, po përveç mustaqeve nuk ka asgjë tjetër. Duhet të merret çdo votë për PS-në. Në 11 maj ne do t’i prezantojmë atyre një ‘noc rrok’ madhështor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.