Ekonomi

Rama me biznesin e madh: Paguani dhe mbani punonjësit ose do të falimentoni. Përshtatuni me brezin e ri

Nga Gazeta ‘SI’ - “Sapo mësova gomarin pa ngrënë, më ngordhi”, ishte fraza me të cilën kryeministri Edi Rama krahasoi largimin e punonjësve shqiptarë nga kompanitë vendase, për shkak të pagave dhe shfrytëzimit që u bëhet nga to.

Në takimin e parë me biznesin e madh për rritjen e pagave, Rama përsëriti se sipërmarrja po e kupton vetëm tani rrezikun e ikjes së punonjësve dhe duhet të përmirësojë kushtet e tyre para se të vdesin. Rama u bëri thirrje bizneseve të ndryshojnë qasjet e tyre sepse, fuqia punëtore është brez tjetër tani dhe nuk pajtohen më me të njëjtat kushte.

LEXO EDHE:
Rama: Privati të rrisë pagat që të rinjtë të mos ikin. Punë ka, por tani s'ka as punëtorë, jo vetëm profesionistë

“Ne nuk e kishim programuar rritjen. Nuk është problem dëshira, por konkurrueshmëria dhe produktiviteti që mund të mbajë vendi. Ujku ka filluar t’ju hajë, por është në procesin që po mendon t’ju sistemojë në pjatë. Ne do marrim edhe punonjës të huaj, por nuk jemi në kushte të Gjermanisë. Ne kemi ku t’i gjejmë shqiptarët e rinj edhe t’i kthejmë. Është gjeneratë tjetër. Ose e lëmë të na marr me vete, ose e kthejmë në mundësi. Ne si qeveri e ju si sipërmarrje, të dalim më të fortë nga kriza. Tani do shohim edhe pagës mesatare që të rregullojmë strukturën. O bëhet o bëhet!”- tha kryeministri.

Ai kritikoi drejtuesit e bizneseve duke thënë se “kanë mbajtur qindarkat nga punonjësit e blejnë vetë 7 shtëpi.”

“Por nëse një i ri ka mundësinë dhe perspektiven të paktën teorike që duke u larguar gjen punën diku tjetër, sipërmarrja nuk largohet dot. ‘Të rrojë apo të vdesë’, është dilema e tyre dhe kjo është dilemë e lehtë. Sipërmarrjet duhet të  rrojë e të mbështesë dhe punonjësit që edhe ata të rrojnë. Pagat janë më të larta se ato të deklaruara. Sipërmarrja kujton se ia hedh shtetit. Kujton se do ta kenë të sigurt të ardhmen kur i merr sigurimet punonjësve. Por jo sepse do të mbeten pa punonjës. Mbani punonjësit, pa to nuk jeton biznesi. Problemi dramatik në fasonë, nuk kanë menduar për këto ditë. U kanë marrë shpirtin më tre turne, e shtunë e dielë, sot u ka ardhur pensioni, me kë do t’i zëvendësojnë? Me gocat e Tik-Tok-ut?", shtoi Rama.

Pjesë e takimit ishte edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e cila shtoi se paga është çmim që ndikohet nga kërkesa dhe oferta. Dikush paguan shumë sepse kërkon forcë punëtore të mirë dhe të kualifikuar. Ajo njoftoi se diskutimet do të vijojnë me biznese nga sektorë të ndryshme, për të caktuar pagën minimale pa cënuar produktivitetin.

Përfaqësues të biznesit, pjesë e takimit theksuan se mungesa e fuqisë punëtore është shqetësimi kryesor dhe se ato kanë nevojë të ndryshojnë modelin e tyre të operimit e të rrisin investimet në teknologji dhe inovacion.

Një nga biznesmenët në panel, Sokol Kraja, shtoi se vetë ambasadat po telefonojnë e po rekrutojnë ekspertët shqiptarë, për t’i dërguar në vendet e tyre për të punuar.

“Rritja e pagës minimale lëvizje e mirë, por nuk bëhet vetëm nga qeveria. Paga është vetëm një levë. Struktura e ekonomisë shqiptare duhet të ndryshojë, vetëm 2% janë biznes i madh. Industria ka marzh fitimi, bizneset e vogla nuk kanë mundësi të konkurrojnë e t’i rrisin pagat. 40 mijë lekë është pak, le të shkojë edhe 50 mijë lekë. Biznesi i përballon por duhet të mbahen njerëzit. Rëndësi duhet t’i japim industrisë prodhuese dhe eksporteve”, - tha Kraja, teksa i sugjeroi kryeministrit Rama, hapjen e një ambasadë në Indi, për rekrutimet e forcës së punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë