Ekonomi

Ibrahimaj: Rritja e pagës minimale nuk falimenton biznesin e vogël. Profesionet e lira nuk do të shmangin më ligjin

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se rritja e pagës minimale, do të krijojë kosto të papërfillshme për biznesin e vogël, dhe nuk do t'i falimentojë ato. Ndërsa për biznesin e madh do t’i subvencionojë shteti.

“Biznesi i vogël, shumica janë të vetëpunësuar, paguajnë vetëm kontributin. Ka një diference 1.560 lekë me rritjen e pagës në 40.000 lekë dhe nuk mendoj se kjo çon në falimentimin  e biznesit të vogël apo në rritje të përgjithshme të çmimeve”, - tha ministrja në konferencën mujore të ekonomisë.

Ajo shtoi dhe se reforma e rritjes së pagave nuk do të ketë efekt shtesë as ndaj borxhit publik, deficitit apo balancës primare dhe se do të zgjasë 2 vite.

Më tej, ministrja sqaroi futjen e profesioneve të lira në të ardhurat e tatueshme, duke thënë se hapësirë ligjore krijoi shmangie ku subjektet e profesioneve të lira regjistroheshin si person fizik dhe shmangnin detyrimet.

“Kemi bërë një parashikim në ligj që rregullon edhe profesionet e lira, bazohet në ligjet ekzistuese. Kur vendosëm tatimin 0% për biznesin e vogël ishte strategji për të ndihmuar biznesin e vogël. Por numri i punëmarrësve u ul në profesionet e lira dhe u rrit numri i personave fizik për profesionet e lira, sepse u krijua një hapësirë ligjore, jo evazion, kjo është një masë anti-shmangie. Profesionet e lira do të vazhdojnë të kenë barrë taksimi më të ulët se paga-marrësi” shtoi ajo.

Ibrahimaj njoftoi se drafti final i basteve online do të publikohet javën e ardhshme dhe më pas do të kalojë në fazat e miratimit, ndërsa për draftin e Amnistisë, shtoi se nuk është ende gati.

Ministrja bëri edhe një përmbledhje të aktivitetit ekonomik në vend gjatë muajve të shkuar, duke shtuar se ekonomia u rrit mbi mesataren europiane dhe rajonale, ndërkohë që inflacioni qëndroi më poshtë. 

Sipas ministres, ndërtimi dhe industria kanë udhëhequr ekonominë, ndërsa bujqësia ka pasur një rritje shumë të ngadaltë.

“Për 3 mujorin e katërt u rrit me 9.8%, duke reflektuar ecurinë e mirë, qoftë të investimeve private në sektorë, qoftë ecurinë pozitive të sektorit të ndërtimit, që është ndikuar kryesisht nga procesi i rindërtimit, që vijon me ritme të shpejta. Ka pasur ndikim edhe rritja e sektorit të turizimit. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje me 1 milionë shtetas të huaj. Ecuria e aktivitetit ekonomik është ndikuar nga ecuria e të ardhurave. Të ardhurat në total gjatë vitit 2022, janë rritur me 13.8%.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është rritur me 14.2%. Inflacioni mesatar për vitin 2022, ka qenë 6.7%. Nëse do krahasojmë rritje e të ardhurave me 14.2% dhe inflacioni me 6.7%, kuptohet që kjo rritje e të ardhurave nga TVSH nuk vjen vetëm nga rritja e çmimeve. Kemi pasur një rritje të të ardhurave të tatimit mbi fitimin. Niveli i papunësisë për grupmoshën 15-64 vjeç, që nuk është papunësia zyrtare e vendit, ka ardhur në ngadalësim nga viti në vit. Për 3 mujorin e katërt të vitin 2022, arriti në 11.4. Norma zyrtare e papunësisë arriti në 10.8%. Niveli i punësimit në rritje, 66.5%%”,- theksoi Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë