Politike

Rama me atlete në Pragë: Kemi bekimin e vendeve të Vishegradit për negociatat

I veshur me kostum, kollare dhe atlete të bardha, kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në një samit të organizuar nga vendet e Vishegradit me vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus të vecantë integrimin e rajonit në BE.

Kryeministrat e katër shteteve të Vishegradit, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria, janë duke zhvilluar një sërë bisedimesh në një samit të posacëm me kryeministrat e rajonit në Pragë.

Duke publikuar një sërë fotosh nga ky samit, Kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej edhe nga ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, bëri të ditur se një nga temat e diskutimit kishte qënë hapja e negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edi Rama merr pjesë në samitin e Pragës

Rama shkruan se jo vetëm ka marrë mbështetje totale nga vendet e V4 për çeljen e negociatave, por edhe një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv.

“Në Pragë me vendet e V4 (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) dhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Jo vetëm mbështetje totale nga V4 për çeljen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, po edhe një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik”, shkruan kryeministri Rama.
Ai duket të jetë takuar edhe me kryeministren serbe, Ana Brnabic dhe liderët e tjerë të rajonit, por në këtë takim mungonte kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas deklaratave të vazhdueshme të presidentit të Çekisë Milos Zeman se do të rishikojë njohjen e Kosovës nga vendi i tij, Prishtina refuzoi kategorikisht të marrë pjesë në Samitin e Kryeministrave të Vishegradit

Katërshtja e Vishegradit u takua së pari për të diskutuar mbi çështje të lidhura me BE-në, të tilla si Komisioni i ri Evropian, buxheti për vitin 2020 dhe çështje që lidhen me ndryshimin e klimës dhe më pas a u bashkuan me kryeministrat e rajonit,

Qëllimi i samitit më të gjerë është forcimi i bashkëpunimit midis dy rajoneve por edhe mbajtja e bisedimeve me liderët e rajonit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Të gjitha vendet e Grupit të Vishegradit kanë rritur ndjeshëm angazhimin e tyre gjatë ditëve të fundit për zgjerimin e BE dhe NATO, me fokus në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vendet e Vishegradit kanë këmbëngulur se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon.
Kryeministri çek Tomáš Petříček kohët e fundit bëri thirrje që BE-ja të hapte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Të dy vendet kanë bërë përparim dhe duhet t’u jepet një mundësi për të ndërmarrë hapin tjetër”, tha ai.

Nga ana tjetër, nga katërshja e Vishegradit, vetëm Polonia që ka marrë pjesë në Procesin e Berlinit, duke mbështet bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Madje këtë vit Varshava kryeson grupin e punës.

Edi Rama merr pjesë në samitin e Beogradit

Ministria e jashtme sllovake për shembull, e kryesuar nga Miroslav Lajçák, ka reaguar ashpër pas komenteve të Juncker që propozojnë shtyrjen e negociatave, duke e quajtur “të pafat dhe politikisht të dëmshëm”. Deputeti sllovak Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ka qenë po ashtu një mbështetës i madh i Shkupit dhe Tiranës. “Nëse pas shpalljes së datës së hapjes së negociatës, nuk ndërmarrim veprime dhe projekte specifike, rrezikojmë të shkakojmë efekte negative në Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ai.

Kritika për premtimet e pambajtura kanë ardhur edhe nga Hungaria, që po e trajton Ballkanin si një prioritet politik dhe ekonomik. “Hapja e një ose dy kapitujve në vit është asgjë, por inkurajim. Ne duhet të inkurajojmë këto shtete, duke treguar se jemi të interesuar që ato të bashkohen me BE-në, përndryshe ne do të forconim ndjenjat anti-BE në rajon”, tha Szijjártó në fillim të vitit 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë