Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka replikuar me qytetarët teksa e pyetën se kur ka udhëtuar për herë të fundit në SHBA.
Ai deklaroi se vizitën e fundit e ka pasur kur shkoi në Amerikë për punë, ndërsa u kujtoi ndjekësve non grata-n e Berishës.
“Ore u hoq ajo non grata se nuk e kam marrë vesh këtë informacion?”- pyeti Rama duke ironizuar kreun e PD Sali Berishën i cili me ardhjen e Trump në pushtet, tha se do të lobonte për heqjen e non grata-s.
“Të kanë thënë që nuk shkoj unë dot në USA, kush ta ka thënë non grata? Se hoqi dorë Edi Rama nuk e përmend më non grata. Se përmendi më se s’kam pasur arsye dhe s’po bëj sot këtë. Ka gjëra më të rëndësishme se non grata. Ore u hoq ajo non grata se nuk e kam marrë vesh këtë informacion? Si keni fytyrë që mbasi u thatë shqiptarëve se do të hiqet non grata tani i thoni a shkoj unë matanë oqeanit apo jo, a shkoj unë në USA apo jo? O pika pika”, tha Rama.
Mandej Rama tha se sipas tij, do ta bënte 1 mijë herë më mirë opozitën sesa këta që janë aktualisht në opozitë dhe tha se në zgjedhjet e 11 majit, PD “do të marrë rezultatin më të keq që nga ’97”.
“Këta nuk dinë të bëjnë opozitë, por dinë vetëm të vetëshkatërrohen dhe në vetëshkatërrim e sipër të pengojnë sa të munden Shqipërinë dhe t’u nxijnë jetën njerëzve. Prandaj më 11 maj do të marrin rezultatin më të keq që nga ’97 e këtej”, tha Rama.
Ai shtoi se e vetmja mënyrë për të bërë një “detoks” nga “helmet” e përditshme janë takimet me njerëzit, teksa përjashtoi edhe mundësinë e një debati publik me Sali Berishën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.