Lajme

Rama mbledh koodinatorët: Reforma e pronës në shtator

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin javor me qytetarët që kanë përdorur “Platformën e Bashkëqeverisjes”.

 Në një konferencë për shtyp nga ambientet e Kryeministrisë ai shprehet se Zyra e koordinatorëve të bashkëqeverisjes do të vijojë të funksionojë, edhe pse të mërkurën nisin zyrtarisht pushimet.

“E di që pavarësisht nga javët e pushimeve zyra do të vazhdojë të funksionojë, sepse nuk është një zyrë si të gjitha të tjerat, po një zyrë që siç është në xhepin e qytetarëve, është në tavolinën e shtëpive, kudo ku ka një kompjuter, në zyrat që ofrojnë këtë mundësi , dhe po ashtu në smartphone e koordinatorëve. Është një punë që mund të bëhet nga çdo pikë. E keqja brenda zyrave të shërbimeve për qytetarët. Jam shumë i vetëdijshëm që jemi ende larg objektivit tonë, por dua të siguroj të gjithë se do e arrijmë objektivin dhe ndërveprimi i përditshëm, me mijëra e mijëra qytetarë që ditë pas dite janë shtuar radhës së atyre që kanë bërë këtë zgjedhje për të ndërvepruar me ne, është një nga rrugët për të arritur objektivin”, shprehet kryeministri.

Sipas tij administrata e shtetit do të vazhdojë të pastrohet nga ryshfetet, dhe shton që ky vit ka qenë një vit intensiv pune dhe për këtë falënderon koordinatorët.

Gjithashtu, kryeministri bën të ditur se në shtator nis reforma e pronës, ku ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencia e Kthimit të Pronave do të jenë të gjitha bashkë.

“Në shtator jemi gati të lançojmë reformën që është punuar që në verën e shkuar, pa u krijuar ende qeveria e re, reformën e bashkimit të institucioneve të pronës. Për të pasur një agjenci kombëtare të pronës në mënyrë që të mos shkosh te ALUIZNI ta marrësh e pastaj te hipoteka s’ta jep, për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, po për të pasur një institucion, një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore, do të racionalizojë burimet njerëzore që kemi në dispozicion në këto institucione, do të mundësojë një ecuri shumë më të shpejtë dhe efikase të modernizimit të brendshëm të këtyre institucioneve”, u shpreh më tej Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë