Politike

Rama mbështet pjesërisht planin e Bashës për biznesin e goditur nga tërmeti

Lulzim Basha propozoi ditën e shtunë pesë pika për t’i ardhur në ndihmë biznesit që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama mbështeti një pjesë të këtij plani këtë të diel. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri thotë se disa prej këtyre pikave të propozuara nga opozita janë pjesë e planit të hartuar nga Komiteti Kombëtar i Rindërtimit.

“Një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave. Por vazhdoj të të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, tha Rama.

Mes pikave të propozuara nga PD është përjashtimi nga taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë biznesin në zonat e prekura, përjashtimi nga tatim-fitimi për subjektet që e investojnë fitimin për t’u rimëkëmbur nga tërmeti, pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën e rikuperimit, përjashtimi nga TVSH për të gjitha materialet dhe lëndët e para dhe pezullimi e fshirja e pagesave të faturave të energjisë elektrike dhe ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Ndërkohë, me fjalinë e fundit, Kryeministri Edi Rama përsërit ftesën për t’u ulur në të njëjtën tryezë me Bashën. Përgjigjen e mori nga Edi Paloka.

“Edi Rama nuk mund ta mbulojë dështimin e tij me thirrje hipokrite. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme që çuan në viktima dhe vuajtje pa fund. Pse emergjencat civile nuk kishin mjetet e duhura për të përballuar fatkeqësinë natyrore?Pse i bëri lekët për paisje emergjencash, gaz helmues për popullin, dhe milionat për qen kërkimi, ushqim për babëzinë e qenveritarëve të korruptuar. Pse nuk i heq 10 oligarkëve të tij 150 milionë dollarë të taksave të shqiptarëve që t’ua kalojë ato njerëzve në nevojë”, tha Paloka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë