Futboll

Rama: Klubet nuk do të ndihmohen, deklarojnë paga të rreme

Koronavirusi ka sjellë anulimin e aktiviteteve sportive në rang kombëtar duke krijuar kaos dhe mungesë financash, ku drejtuesit e disa klubeve kanë kërkuar që qeveria të hedhë sytë nga futbolli dhe të ndihmojë klubet shqiptare, pasi e kanë të pamundur të paguajnë futbollistët e tyre. Armand Duka, presidenti i FSHF-ës, në një intervistë ekskluzive për News24 i bën thirrje qeverisë shqiptare të përfshije sportin në paketën e kompensimit.

Por kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euronews Albania ka thënë se klubet e futbollit nuk do të marrin mbështetje ekonomike. Sipas kryeministrit, klubet e futbollit deklarojnë listë pagesa fiktive, sa një kompani fasone dhe për këtë arsye nuk duhet të ankohen sot, por duhet të gjejnë mënyrën e tyre për të mbijetuar.

"Paketa nuk do të rishikohet, por do të zgjerohet. Është një paketë që në bazën e saj ka ato që janë më në nevojë dhe pastaj do të zgjerohet. Sa i përket klubeve të futbollit, unë mendoj që ato nuk kanë çfarë i kërkojnë fare qeverisë dhe arkës së shtetit për një sërë arsyesh, por këtu do të sjell atë më të thjeshtën fare. Klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone dhe japin paga të majme. Klubet e futbollit le të shohin rreth e rrotull se çfarë bëjnë klubet në vende të tjera dhe të adoptohen me këtë luftë".

"Kjo nuk është koha për të ndihmuar futbollin, por koha për të ekzistuar. Klubet e futbollit duhet të garantojnë ekzistencën dhe jo fitimin e munguar. Meqë kanë deklaruar paga të rreme në masën më të madhe të tyre është mirë të mos bëhen pjesë e atyre që ankohen dhe që kërkojnë, pasi nuk ka pikë lezeti", tha Rama rreth kërkesës nga klubet e futbollit në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë