Lajme

Rama: Ja vendimet e qeverisë për kërkesat e studentëve

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë që ka pasur në fokus vetëm çështjen e studentëve dhe kërkesat e tyre.
Rama informoi lidhur me vendimet e qeverisë sa u takon tarifave për studentët si dhe faktin që do jepen 3 milionë dollarë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së konvikteve.
“Arsyeja e kësaj konference lidhet me mbledhjen e sapopërfunduar të qeverisë, ku në fokus kemi pasur studentët, jo vetëm kërkesat e tyre, por edhe aspekte të tjera që janë vendosur në vëmendjen tonë.
Në mbledhje kemi marrë disa vendime të rëndësishme që adresojnë kërkesat e tyre dhe shkojnë përtej, ashtu sic e kemi thënë. Pra e gjithë kjo, për ta futur universitetin në një fazë të dytë që duhet të thellohet”, u shpreh kryeministri.
Vendimet e marra:

Niveli Bachelor
Rama prezantoi 4 vendimet e qeverisë sa u takon tarifave për studentët.
Studentët me notë mesatare mbi 9 do përfitojnë financimin nga qeveria 100% të tarifës së tyre të regjistrimit dhe në çdo program studimi do përfitojnë një bursë prej 10 mijë lekësh të reja.
Studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, prindër paraplegjikë dhe tetraplegjikë do u paguhet tarifa e regjistrimit 100%.

Mundësi të barabartë të gjithë studentëve, duke paguar 50% të tarifës së studimit për ata që paguanin 100% të studimeve. Pra, të gjithë studentët do paguajnë 50% të tarifës. Vitin e ardhshëm akademik kush ka mesatare nën 6 do humbasë financimin nga qeveria.

Të gjithë studentët aktualë në pjesën e mbetur të këtij viti edhe ata me 4 dhe 5 nuk do të paguajnë, por do të paguajë shteti.

Niveli i dytë, Master
Studentët me mesatare mbi 9 do paguajnë 50 % të tarifës. Po kështu dhe studentët nga familje me ndihmë ekonomike apo me prindër paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Vendimi hyn në fuqi menjëherë që do të thotë se në janar do të gjitha këto detyrime i mbulon qeveria.

Konviktet
Negociata që brenda këtij mandati të gjitha konviktet të jenë të rindërtuara. Qeveria do të japë
3 mln dollarë shtesë për rikonstruktimin e konvikteve.

Gjatë konferencës për media, teksa shpjegoi vendimet e mbledhjes së qeverisë për kërkesat e studentëve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe disa pyetjeve të gazetarëve.
Kryeministri tha se nëse protestat e studentëve vazhdojnë edhe pas Paktit për Universitetin, ai do ta udhëheqë atë.
“Nuk ka nevojë për ndryshime në buxhet dhe fondi është i garantuar. Plani im është shumë i qartë, unë do udhëheq protestën e studentëve nëse vazhdojnë. Ju mund të qeshni, por do ta kap protestën shumë shpejt si gjithë të tjerat. Operacioni dhe reformat do shkojnë edhe më tej. Kemi nevojë për të bashkëpunuar për ta zbatuar atë”, tha Rama.
Gjithashtu, ai deklaroi se ligji i arsimit të lartë nuk do të preket.
“Nuk ka asnjë arsye që ligji i arsimit të lartë të preket. Nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka shkaktuar ligji i arsimit të lartë. Ligji i arsimit të lartë nuk preket.
Një fjalë kam është, shumë e rëndësishme të ndajmë pedagogët .. Ka shumë që janë heronj… dhe përpara se pedagogët të shkojnë te ligji është mirë që të provojnë veten e vet sa i takon ligjit”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë